AktualitetRajoniTë fundit

Maqedonia e Veriut regjistron 1,085 të infektuar dhe 12 viktima nga COVID-19

Maqedonia Veriut të shtunën ka arritur shifrën rekord prej 1,085 rastesh të reja me koronavirus brenda një dite. Po ashtu, në 24 orët e fundit, janë regjistruar edhe 12 të vdekur dhe 283 të shëruar.

Të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik i referohen testimit të 3,294 mostrave që po ashtu paraqet numër rekord të të testuarve brenda një dite.

Në mesin e të vdekurve është edhe një person i moshës 27-vjeçare. Institucionet shëndetësore kanë informuar se 27-vjeçari, i cili është dërguar në Klinikën Infektive në Shkup në gjendje të rëndë shëndetësore, nuk ka vuajtur nga sëmundje kronike. Viktimat tjera janë nga tre në Shkup dhe Prilep, dy në Tetovë dhe nga një në Gostivar, Kavadar dhe Manastir.

Sa i përket të infektuarve, në Shkup janë shënuar 447 raste të reja, në Strumicë 80, Tetovë 62, në Prilep 60, ndërsa në 26 qytete tjera numër më i vogël i të infektuarve.

Në Klinikën Infektive në Shkup janë pranuar 13 pacientë të ri, ndërsa numri i përgjithshëm i të hospitalizuarve ka arritur në 154 persona, prej tyre 117 janë në oksigjeno-terapi. Në spitalet tjera të vendit janë të shtruar rreth 450 persona.

Drejtuesit e Institucioneve shtetërore kanë bërë thirrje për respektimin e masave mbrojtëse, pasi siç ka thënë ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe “spitalet po mbushen me pacientë”. Ai ka paralajmëruar mundësinë e rikthimit spitalit të përgjithshëm të Shkupit në qendër për pacientët me COVID-19 (sëmundjen që e shkakton koronavirusi) nëse mbushen kapacitetet e Klinikës Shtetërore Universitare.

Deri tani me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut janë diagnostikuar 31,572 persona, prej tyre; 994 kanë ndërruar jetë, 20,731 janë shëruar ndërsa 9,847 janë aktivë.

 

Fraksion.com