Kur mund të kemi një ngadalësim të përhapjes së COVID-19? Imunologu i njohur jep këshillat,tregon vendet me potencial transmetimi
I ftuar në studion e News24 mjeku i njohur imunolog, Genc Sulçebe komentoi përfundimet e një grupi studiuesish lidhur me mbylljen e vendeve si pasojë e COVID-19. Studimi arriti në përfundimin se vendet që iu nënshtruan mbylljes patën një përkeqësim të situatës. Imonologu Sulçebe foli për një ballafaqim të ideologjisë.
‘Shkencëtarët duke parë efektet negative të lock down, sidomos në ekonomi, hodhën idenë që të mos mbyllemi gjatë kësaj epidemie, por të bëjmë një mbrojtje të fokusuar. Pra, të fokusohemi në mbrojtjen e atij grupi të popullatës që janë më të prekshëm, Pra të moshuarit mbi 65 vjeç dhe ata që janë më sëmundje bashkëshoqëruese. Dhe pjesën tjetër të popullatës, që është më pak e prekshme, pra mosha nën 50 vjeç, le t’i lemë të bëjnë një jetë të zakonshme, që duke u imunizuar të krijojnë një imunitet kolektiv të popullatës, që do të mbrojë edhe ato që janë të izoluar dhe që nuk janë prekur nga virusi. Kjo deklaratë, kishte për qëllim të eliminonte efektet negative të lock down-it të fuqishëm, u sulmua fort edhe nga OBSH edhe nga shkencëtarë të tjerë që bënë një memorandum edhe ne Lancet, të cilët thanë se kjo do të kishte pasoja të rënda edhe në vdekshmëri, ndaj u quajt e papranueshme. Nga të dy kampet ka hipoteza që duhet të merren si pozitive” u shpreh Sulçebe.
“Moshat mbi 65 vjeç, ato që kanë sëmundje shoqëruese, ato që kanë obezitet, një faktor risku më të madh, ato me diabet, ato me sëmundje të zemrës, sëmundje kronike ato duhet t’i ruajë shoqëria, dhe vetë duhet të ndërgjegjësohen të jenë sa më pak në kontakt me grumbullime njerëzish, të dalin jashtë të mbrohen dhe në mënyrë permanente të mbajnë maskën. Kjo është kryesore. Sa i përket t’i lesh të lirë, pjesën tjetër të popullatës, kjo ka të këqijat e veta. Do kemi një përhapje të madhe të infeksionit, të sëmurë, një dyndje të të sëmurëve nëpër spitale, që nuk mund të kontrollohet dhe njëkohësisht nuk mund të kufizosh që infeksioni të kalojë nga kto grupe popullatash, te ato më të rrezikuara. Pra, mbrojtja e përgjithshme është sot më e pranuar se mbrojtja e fokusuar”, vijoi Sulçebe.
Ndër të tjera mjeku imunolog, komentoi edhe vendimin e fundit të Komitetit të Ekspertëve për Universitetet, si edhe situatën në vend me Covid-19, dhe a duhet shkuar drejt një tjetër mbylljeje.
“Sigurisht ky është një vendim i vështirë për t’u marrë. Duhen marrë parasysh shumë tregues. Ka tregues epidemiologjik të caktuar dhe të saktë se si dhe kur duhet realizuar mbyllja. Por kemi parasysh një fakt, ne jemi në një gjendje imunitare të situatës, kur kemi afërsisht jo më tepër se 20% të popullatës tonë, të paktën në Tiranë që mund të jetë e imunizuar, e ka kaluar infeksionin. Por që të kemi një ngadalësim të përparimit të infeksionit, dhe infeksioni të jetë sporadik, siç është një grip i zakonshëm, pra endemik dhe jo epidemik, duhet që të kemi një numër prej të paktën 50%, diku thonë edhe 40% është e mjaftueshme. Nga kjo situatë ku jemi ne, edhe në 40% po të shkojmë është një interval shumë i gjerë popullate që duhet të preket, në mënyrë që të ngadalësohet. Pra, po ta lesh të lirë përhapjen e virusit, mund të kemi një progresim të vazhdueshëm të përhapjes së infeksionit, siç e kemi ne tani. Pra, një njeri i infektuar, infekton brenda kohës që është infektues, të paktën tre, ato të tre infektojnë nga të tjerë secili dhe kemi një përshpejtim progresim të përhapjes.” u shpreh Sulcebe.
Sa i përket shkollave, mjeku i njohur tha se fëmijët për fat të mirë preken shumë pak nga virusi. “Por ato virusin mund ta transmetojnë, nuk e transmetojnë si një i rritur. Pra, janë transmetues, jo si i rritur por mbeten transmetues. Çdo grumbullim njerëzish është rrezik transmetim, në shkollë në punë, kafene, restorante ku ka grumbullim të cilët rrinë më afër se 2-3 m, është një rrezik potencial transmetimi. Duhet një restriksion i fokusuar për mendimin tim, pra të mbyllen ato aktivitete rekreative që nuk janë të domosdoshme, më vjen keq për biznese të tilla si kafe, restorante, palestra, por janë burime transmetimi shumë të mëdha, ato të mbyllen. Ndryshe nuk e ngadalësojmë përhapjen e infeksionit dhe rrezikojmë të kemi shumë individë të sëmurë që një pjesë e tyre do kërkojnë ndjekje intensive në spitale dhe nuk kemi mundësi. Kapacitete spitalore të mbajnë një numër kaq të madh të sëmurësh. Gjithë Europa po e përjeton këtë situatë”, tha Sulçebe.
Fraksion.com