AktualitetPolitikëTë fundit

“O tani o kurrë”; Meta: Jam betuar me dorën mbi Kushtetutë; E çoj popullin në referendum

Rrëzimin e dekretit për ndryshimet në Kod Zgjedhor, presidenti Ilir Meta e quan një hap drejt bllokimit të integrimit. I pranishëm në një tryezë të organizuar nga shoqëria civile, të quajtur “Nisma kombëtare për Referendum”, Meta tha se Kushtetuta e Shqipërisë duhet të ndryshojë për të mos lejuar më parlamentin të ndryshojë atë, pa miratimin popullor përmes një referendumi.

Sipas tij dje, kryeministri ftoi shqiptarët më 25 prill në një referendum të jashtëzakonshëm ndërsa u shpreh i bindur se të gjithë do të marrin pjesë.

“Do bëj gjithçka që kam në dorë për t’i shërbyer kësaj nisme deri në realizimin e saj efektiv. Presidenti ka për detyre të ruajë bashkimin e popullit. Jam betuar me dorën mbi Kushtetutë, e ndjej si detyrë atdhetare, situata e rëndë në të cilën populli s’ka qenë kurrë më parë, si funksionim shtetëror flas, jam i sigurt që të gjithë se bashku duhet ta çojmë deri në fund këtë nismë.

Le ta quajmë këtë si zgjim të shoqërisë civile. Mbështet si President nismën me shumë forcë, shpresoj që ky kuvend të bëjnë një punë të mirë, ta miratojë këtë ligj sipas të gjitha përcaktimeve që ju i keni bërë ligjit që referendumi të jetë efektiv, Vetëm të bashkuar në referendume mbrojmë të drejtat e qytetarëve dhe zhbëjmë çdo cenim të interesit kombëtar dhe publik. Unë them: O tani o kurrë! Jam i bindur që kjo gjë do ndodhë, e kemi për detyrë që ta instalojmë përfundimisht ligjin mbi referendumet”,- u shpreh Meta.

Ndërsa menjëherë pas takimit Meta tha shkurtimisht për mediat se: Sot shoqëria civile publikon nismën për referendume, pra se si të konkretizohet ky detyrim kushtetues që për 22 vite i është mohuar popullit në mënyrën më të pabesë.

 

Fraksion.com