AktualitetPolitikëTë fundit

Kryemadhi në Pogradec: Kodi Zgjedhor, elementi i parë që tregon demokracinë e një vendi

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi u shpreh sot në një takim me strukturat e LSI-së në Pogradec se në polici ka trafikantë të dënuar jashtë Shqipërisë, të cilët kontrollojnë patrullat e policisë.

“Dëgjojmë në televizor Ministrin e Brendshëm që tallet me policët, edhe pse është ministri i policëve, e ndërkohë shikojmë absurditete të tjera më të mëdha nga mëngjesi deri në darkë, të një kryeministri në ikje. Në Ministrinë e Brendshme nuk ka më policë që janë të gatshëm të japin jetën për të mbrojtur vendin, për të mbrojtur ligjin, për të mbrojtur qytetarët. Në polici ka trafikantë, të cilët janë të dënuar jashtë Shqipërisë, të cilët kontrollojnë patrullat e policisë”, tha Kryemadhi.

“Po të vish në Pogradec dhe të futesh në takime me banorët e qytetit apo edhe me banorët e komunave, me fermerët, t’u flasësh për Kodin Zgjedhor nuk i bën përshtypje fare, sepse Kodi Zgjedhor nuk krijon vende pune, nuk i shet prodhimet e tyre. Por, në fakt Kodi Zgjedhor është elementi i parë që tregon demokracinë e një vendi dhe kur demokracia e një vendi cenohet, fillon me një proces zgjedhor”, tha ajo.

“Kodi i ri Zgjedhor i jep opozitës 100 mandate. Në qarkun e Korçës, pra bashkia Pogradec, Devoll, Maliq, Korçë dhe Ersekë, ne si LSI kemi marrë 19 mijë e 600 vota. Me kodin që ka miratuar Edi Rama sot ne do të kishim 2 deputetë në Parlament. Me kodin e vjetër LSI-ja ka pasur vetëm një deputet në Parlament. Pse? Sepse kodi i vjetër i krijon mundësinë për të hyrë në Parlament partive të reja. I krijon mundësinë për të hyrë në Parlament kandidatëve të rinj, edhe nëse janë si individë. Ndërsa kodi i ri nuk i krijon asnjë lloj mundësie partive të reja, por përkundrazi i eliminon ato”, theksoi Kryemadhi.

“LSI ka prioritet për ta shumëfishuar rezultatin me vende në Parlament, ndërkohë që aftësitë dhe mundësitë për t’u rritur më shumë janë jashtëzakonisht më të mëdha”, tha Kryemadhi.

 

Fraksion.com