AktualitetLife StyleTë fundit

“Gjigandi fluturoi në Valsin e Përjetësisë”; Inva Mula jep lajmin e trishtueshëm për të atin

Kompozitori i shquar Avni Mula është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare.

Lajmi u bë i ditur nga vajza e tij, sopranoja e famshme, Inva Mula, e cila përmes rreshtave të ndjerë në rrjetet sociale njofton edhe se homazhet do të kryhen të premten në hollin e Universitetit të Arteve.

“Gjigandi jonë fluturoi në Valsin e Perjetësisë!”, shkruan Inva Mula.

Baritoni dhe kompozitori i njohur Avni Mula, është vlerësuar dhe nderuar për krijimtarinë që ka sjellë jo vetëm në skenën operistike, por dhe në atë të këngës në festivale të ndryshme.

Karrierën artistike Avni Mula e nisi menjëherë pas kthimit nga Moska si solist në Teatrin e Operës dhe Baletit, duke realizuar role kryesore të repertorit operistik të kohës, përmes së cilave u dallua për nivelin e lartë të zgjidhjeve muzikore-skenike. Veçohen realizimet e figurës së Figaros te “Berberi i Seviljes” të Rosinit, Gjetës tek “Mrika” e Prenk Jakovës, etj.

Avni Mula zhvilloi një aktivitet të pasur koncertal brenda dhe jashtë Shqipërisë. Veprimtarinë krijuese e nisi në gjysmën e dytë të viteve ’60, fillimisht në fushën e këngës e të romancës dhe më pas si autor i veprave të mëdha vokale-koncertale, kantata, poema vokale dhe skenike, ku veçohen opereta “Karnavalet e Korçës” dhe opera “Borana”.

Firmën e tij mbajnë edhe shumë këngë të muzikës së lehtë, mes të cilave “Valsi i lumturisë”.

Të shumta kanë qenë reagimet për ndarjen nga jeta të kompozitorit të njohur.

“Lamtumirë Avni Mula u prehsh në paqe!”, ishte dedikimi i kryeministrit Edi Rama.

“Fort i trishtueshëm lajmi i ndarjes nga jeta i Avni Mulës, një nga pasuritë më të mëdha njerëzore dhe artistike të kombit tonë. Arti shqiptar do t’i jetë ngahera mirënjohës për veprën e çmuar që la pas”, u shpreh kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj.
Veliaj solli në vëmendje se emrin e kompozitorit Tirana e nderoi me sallën e koncerteve “Avni Mula” në rrugën e Dibrës për t’u kujtuar nga gjithë brezat.