“Mos fut hundët te punët e ekspertëve”; Presidenca Ramës: Nuk je ti ministri i Shëndetësisë
Pas reagimit të kryeministrit Edi Rama për letrën që presidenti Ilir Meta i kishte dërguar për situatën nga covid në vend, ka reaguar zëdhënësi i presidentit.
Me nota ironie në reagimin e presidencës thuhet se “i kujtojmë se është dekretuar për të qenë edhe ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, dhe jo ministër i Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale“, pasi më herët Rama u shpreh se Meta “nuk duhet fusë hundët në punët e ekspertëve për menaxhimin e situatës mjekësore”.
“Presidenti Meta pret me shumë durim përgjigje për të gjitha pyetjet e adresuara sot ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale. Sikundër është në pritje, në vijim edhe të komunikimit të drejtpërdrejtë që ka patur me znj.Manastirliu, për të sjellë propozime për vlerësimin e figurave të shquara të mjekëve e infermierëve me kontribut të vyer në luftën kundër COVID-19″, thuhet ndërkohë në reagim, referuar letrës që Meta ka dërguar.
Reagimi i zëdhënësit të Presidentit
Shumë i shqetësuar nga përkeqësimi i dukshëm i situatës së pandemisë COVID-19, me shtim të numrin të personave të infektuar, e fatkeqësisht me rritje edhe të numrit të qytetarëve që kanë humbur jetën, Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, sikundër u bë sot publike, i është drejtuar me një letër zyrtare ministres së Shëndetësisë, Kryeministrit ende në detyrë dhe Kryetarit të Kuvendit, në respekt edhe të Kushtetutës:
📌 NENI 23, PIKA 2
“Kushdo ka të drejtë, në përputhje me ligjin, të marrë informacion për veprimtarinë e organeve shtetërore, si dhe të personave që ushtrojnë funksione shtetërore”
📌 NENI 93, GËRMA “H”
Presidenti ushtron edhe këto kompetenca:
h) kërkon mendim dhe të dhëna me shkrim nga drejtuesit e institucioneve shtetërore për çështje që kanë të bëjnë me detyrat e tyre.
Kryeministri ende në detyrë, së pari bën mirë të lexojë me kujdes të vetmen Kushtetutë që ekziston në Republikën e Shqipërisë.
Presidenti Meta ka bërë gjithçka, brenda kompetencave që i jep Kushtetuta dhe ligji, për të parandaluar përhapjen e pandemisë COVID-19 dhe i kujtojmë Kryeministrit ende në detyrë se edhe ai vetë e ka falenderuar publikisht për këtë.
Presidenti Meta pret me shumë durim përgjigje për të gjitha pyetjet e adresuara sot ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
Sikundër është në pritje, në vijim edhe të komunikimit të drejtpërdrejtë që ka patur me znj.Manastirliu, për të sjellë propozime për vlerësimin e figurave të shquara të mjekëve e infermierëve me kontribut të vyer në luftën kundër COVID-19.
Fraksion.com