DW: Mungesë dramatike infermierësh në Gjermani
Mjekët reanimatorë paralajmërojnë për mungesën e 3500 deri në 4000 infermierëve për të përballuar pacientët me Covid-19 në spitalet gjermane.
Kryetarja e sindikatës së mjekëve, Marburger Bund, Susanne Johna, mendon se së shpejti mungesa e personelit në spitale do të duket qartazi, sepse “gjashtë deri në nëntë përqind e të infektuarve sot pritet të kenë nevojë për t’u trajtuar në spital brenda dy javësh.” Ajo tha se për çdo pacient të sëmurë rëndë me COVID-10 nevojitet një infermiere në repartin e reanimacionit.
Kurse Presidenti i Shoqatës së Spitaleve Gjermane, Gerald Gaß, tha se vërtet mungesa e personelit infermieror është “sfida qendrore nëse numri i pacientëve rritet”, por ajo mund të përballohet me riorganizimin e personelit brenda spitaleve. Sipas tij vetëm një ndër pesë pacientë që shtrohen në spital me korona ka nevojë për trajtim mjekësor intensiv në repartin e reanimacionit.
Përforcim i kufizimeve
Gjithnjë e më shumë zona në Gjermani konsiderohen tanimë si zona rreziku. Në disa rajone janë mbyllur përsëri shkollat dhe kopshtet, si p.sh. në Berchtesgadener Land apo Rottal-Inn në Bavari. Po ashtu shumë zona kanë vendosur edhe mbylljen e restoranteve. Kufizimet vlejnë fillimisht për dhjetë ditë.
Kancelarja Angela Merkel diskuton sot (28.10) me kryeministrat e landeve se si mund të pengohet përhapja e shpejtë e virusit korona. Qeveria federale gjermane dhe disa nga kryeministrat e landeve kanë theksuar vazhdimisht që shkollat, kopshtet dhe ndërmarrjet mundësisht nuk duhet të preken nga një bllokim i dytë. Prandaj fokusi i masave kufizuese tani po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek baret, restorantet, tek vendosja e orëve policore/shtetrrethimeve dhe tek eventet.
Fraksion.com