AktualitetDialogKosovaTë fundit

Bisedimet Kosovë – Serbi, vazhdojnë të enjten në Bruksel

Grupet e ekspertëve të Kosovës dhe Serbisë pritet të takohen nesër në Bruksel për të diskutuar siç thuhet çështjet e kërkesave financiare dhe të pronës.

Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano tha se “takimi fillimisht ishte planifikuar të zhvillohej në fund të shtatorit por duhej shtyrë për shkak të masave parandaluese në lidhje me pandeminë e COVID-19. Kryenegociatorët do të takohen tani për të diskutuar zgjidhjen e kërkesave financiare dhe çështjet e pronës”.

Të dyja këto çështje janë shtruar edhe më herët në tryezën e bisedimeve në kuadër të bisedimeve të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Qeveria e Kosovës konfirmoi se delegacioni i saj i drejtuar nga bashkërenduesi shtetëror, Skender Hyseni, ka udhëtuar për në Bruksel.

Ndonëse është thënë se situata me pandeminë bëri që të shtyhen takimet e shtatorit, ishin mospajtimet rreth Asociacionit të komunave më shumicë serbe që ndryshuan planet.

Serbia kërkon që të rihapet çështja e Asociacionit, ndërsa Kosova e quan tashmë çështje të mbyllur.

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, mbetet përparësi e punës së qeverisë së Serbisë, tha të mërkurën kryeministrja serbe Ana Bërnabiç, gjatë paraqitjes së programit të saj qeverisës në parlamentin e Serbisë.

“Të jem e qartë dhe e saktë sot nga ky vend dhe para deputetëve të parlamentit dhe të gjithë qytetarëve të Serbisë se ne nuk do të heqim dorë. Ne e mbajmë fjalën dhe do të qëndrojmë prapa nënshkrimeve tona në marrëveshjet që kemi diskutuar dhe arritur dhe ne presim këtë edhe nga të tjerët që të vazhdojmë bisedimet. Qeveria e re do të vazhdojë politikën për mbrojtjen e interesave thelbësore, paqen dhe bashkëpunimin kur bëhet fjalë për Kosovën, me qëllim mbrojtjen e qytetarëve tanë, trashëgimisë kulturore dhe fetare dhe paqen dhe qëndrueshmërinë në gjithë rajonin”, tha zonja Bërnabiç.

Serbia kërkon që ky mekanizëm të krijohet sipas marrëveshjes së arritur në vitin 2015, që parasheh përgjegjësi të gjera në disa fusha, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte gjetur shkelje të shumta në marrëveshje dhe sipas opinionit të saj, asociacioni mund të krijohet vetëm sipas kushtetutës dhe ligjeve të Kosovës.

Serbia kërkon ndryshime në Kushtetutën e Kosovës për të mundësuar kalimin e më shumë përgjegjësive ekzekutive tek asociacioni i komunave me shumicë serbe. Por, Kosova kundërshton çdo ndryshim që do t’i jepte përgjegjësi ekzekutive një asociacioni të tillë.

Në vizitën e fundit të tij në Kosovë dhe Serbi, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, tha se nuk mund të ketë normalizim marrëdhëniesh ndërmjet të dyja palëve pa zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë. Por edhe zyrtarët evropianë kanë hedhur poshtë çdo mundësi që asociacioni të ketë përgjegjësi ekzekutive.
Fraksion.com