Basha: Mbi 2500 raste ditore me COVID-19, të rritet numri i testimeve
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë një bashkëbisedimi sot me gazetarët, apeloi për rritje të numrit të testimeve, pasi sipas tij, numri real i të prekurve nga COVID-19 është shumë herë më i lartë.
Basha tha se nga raportimet pranë ekipit të shëndetësisë në PD, numri i qytetarëve që kanë simptoma dhe nuk iu bëhet tamponi është disa herë më i lartë se të infektuarit që dalin nga raportimet ditore të autoriteteve shëndetësore.
“Ekipi i shëndetësisë pranë PD kanë marrë një numër shumë të madh raportimesh nga familjarë me simptoma COVID dhe u refuzohet tamponi. Numri i të infektuarve që raportohet është shumë më i ulët se numri real i tyre. Numri i fataliteteve, po ashtu më i lartë seç raportohet. Edhe transparenca për COVID është kthyer në funksion të propagandës”, – tha Basha.
“Vetëm në spitalin e Matit janë mbyllur disa pavijone për shkak të përhapjes së infeksionit. Sistemi shëndetësor po del jashtë funksioni për shkak të shpërthimit të infeksionit në çdo pavijon. Ky kolaps i sistemit është emergjenca me akute që kanë sot shqiptarët. Çdo përpjekje për të larguar vëmendjen nga kolapsi i sistemit shëndetësor është kriminale. I bëj thirrje qeverisë të ndalë rrjedhjen e fondeve për afera dhe t’i orientojë fondet drejt krizës shëndetësore. Hapi i parë është, rritja e disafishtë e numrit të testimeve. Numri i ulët i testimeve është shkak kryesor pse shqiptarët po e humbin luftën me COVID-in. Virusi nuk është më armiku numër 1 i vendit. Armiku nunër 1 është kryeministri i vendit”, – tha Basha.
“Vetëm ditën e djeshme, mjekë specialistë, infektologë të vendit dhe ekspertë shqiptarë kanë ngritur alarmin se numri real i infektimeve është shumë më i lartë. Sipas të paktën njërit prej ekspertëve të njohur epidemiologë, bëhet fjalë për 2500 infeksione në ditë. Nuk kemi mjetet e nevojshme për nxjerrë infektimet reale. Ajo çfarë dinë shqiptarët është se raportimet tregojnë shifra të ulëta, po ashtu dhe fatalitetet”, tha Basha.
Fraksion.com