AktualitetTë fundit

4 fëmijët dhe gruaja nga kampi Al Howl mbërrijnë në Shqipëri; Rama: Operacion i suksesshëm, do të kthejmë edhe pjesën tjetër

Fëmijët Amar Rasha, Emel Rasha dhe Hatixhe Rasha dhe nëna e tyre Floresha Rasha si dhe djali i familjes Dumani, Endri Dumani mbërritën sot në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit, të shoqëruar nga Kryeministri Edi Rama.

Në aeroportin e Rinasit ishin të pranishëm edhe dhjetëra familjarë të fëmijëve, të cilët  prisnin me padurim kthimin e tyre.

Në një konferencë për shtyp Kryeministri Edi Rama theksoi se “më vjen shumë mirë që kemi mbyllur fazën e parë të një operacioni të ngatërruar sidoqoftë të suksesshëm dhe ajo që është edhe më e rëndësishme që tanimë kemi bazën për të vazhduar me fazën e dytë. Fëmijët e tjerë janë identifikuar, janë bërë një pjesë e mirë e kontakteve dhe intervistave dhe besoj që më herët se vonë do të kthejmë edhe pjesën tjetër këtu në Shqipëri”.

Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk kemi pritur ti gjejmë lokacionet nga lajmet. Ka një vit që ne punojmë ngushtësisht me strukturat të specializuara në ato territore. Nuk kemi pasur asnjë çast problemin e  gjetjes së lokacioneve. Natyrisht bëhet fjalë për operacione komplekse që lidhen me futjen në territore ku duhen marrë parasysh më shumë sesa një faktor. Ju e dini shumë mirë që ne nuk kemi asnjë marrëdhënie me regjimin e Damaskut, duhet edhe leje kalimi i tyre. Bëhet fjalë për të parandaluar surpriza që mund të vijnë nga momenti për njerëzit, gjë që ka kërkuar një përgatitje të posaçme dhe një punë shumë të detajuar të strukturës që është marrë drejtëpërdrejtë. Drejtori i Antiterrorit ishte vetë në territor për 4 javë në atë vend”.

“Nuk ka dyshim që nxjerrja e fëmijëve nga ai  ferr, nuk është njësoj si nxjerrja e tyre nga kopshti apo shkolla. Është një proces i komplikuar janë në mes edhe disa prej prindërve që mbeten në pozicionet e tyre të radikalizuara”, – tha Rama.

“Puna e bërë në kamp ka qenë intensive nga struktura që ka arritur të hyjë atje, me prezencën e drejtorit tonë të Antiterrorit dhe të një oficeri tjetër së bashku me shoqëruesit. Siç e kam thënë dhe sot paradite e gjithë kjo është mundësuar falë strukturës së drejtuar nga gjenerali Abass Ibrahim në Liban, i cili më ka konfirmuar se operacioni do të vazhdojë dhe kemi diskutuar mbi të gjitha detajet që kemi në dispozicion dhe tani kemi një pamje të plotë”, – nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “nuk dua të jap detaje, pasi janë detaje që mund të kompromentojnë të gjitha ato marrëdhënie të ngritura që janë marrëdhënie shumë delikate me të gjithë këta faktorë”.

I pyetur se si do të rintegrohen fëmijët e kthyer nga Siria, Kryeministri Rama tha se “kemi përgatitur strukturën e posaçme prej disa kohësh, prej disaj avësh sepse vendimi për të hyrë në territor është marrë në momentin e duhur, por ne duhet të ishim gati më parë. Struktura është gati jo vetëm për këta 4 fëmijë, por edhe për të tjerët që presim. Më pas me të gjithë kujdesin e nevojshëm me psikolog, mësues, mjekë dhe do të bashkëpunohet dhe me të afërmit, do ët shikohet ecuria e këtyre fëmijëve  dhe do të punohet hap pas hapi për ti integruar në strukturat sociale sipas gjykimit që do japin mjekët dhe psikologët”.

Lidhur me numrin e shtetasve shqiptarë që ndodhen në kampet e Sirisë, Rama theksoi se “nuk mund të jap asgjë ekzakte sepse së pari të gjitha identifikmet janë në përpunim e sipër nga strukturat përkatëse. Punojmë ngushtësisht me strukturën special të gjeneralit Abass Ibrahim në Liban dhe nga ana tjetër është një kategori shumë delikate, nuk mudn të japim një numër fiks, jo se nuk e kemi por mes atyre fëmiëjëve ka fëmijë që janë me prindër të gatshëm dhe me prindër jo të gatshëm dhe nuk duam të vëmë në rrezik jetët e tyre”.

 

Fraksion.com