AktualitetBota+Të fundit

Erdogan, thirrje turqve për bojkot të mallrave franceze

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan bëri thirrje të hënën që turqit të mos blejnë më mallra franceze.

Ai u bëri thirrje gjithashtu udhëheqësve të Bashkimit Evropian të ndalin atë që ai e quajti axhendë “anti-islamike” të presidentit francez Emmanuel Macron.

Zoti Erdogan tha të shtunën se zoti Macron ka një problem me myslimanët dhe ka nevojë për kontroll të shëndetit mendor, një deklaratë që e bëri Francën të tërheqë ambasadorin e saj nga Ankaraja.

Ai bëri komente të ngjashme të nesërmen dhe përsëri të hënën.

“Ashtu siç thonë ata në Francë ‘mos blini mallra turke’, unë u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të mi, që të mos i ndihmojnë kurrë markat franceze, të mos i blejnë ato,” tha zoti Erdogan.

Franca është burimi i 10-të më i madh i importeve të Turqisë dhe tregu i shtatë më i madh për eksportet turke, sipas Institutit Statistikor të Turqisë. Në Turqi, automjetet franceze janë ndër makinat më të shitura, dhe tregtia dypalëshe franko-turke vitin e kaluar kishte një vlerë prej gati 15 miliardë dollarësh.

Presidenti Macron ka deklaruar se do të luftojë “separatizmin islamik”, i cili, sipas tij, po kërcënon të uzurpojë disa komunitete myslimane të Francës.

Turqia dhe Franca janë të dyja anëtare të NATO-s, por kanë patur mosmarrëveshje për çështje të tilla si Siria dhe Libia, juridiksionin detar në Mesdheun lindor dhe konfliktin në Nagorno-Karabak.

Presidenti turk ka bërë thirrje të njëjta në të kaluarën, duke përfshirë atë të vitit 2018 për të mos blerë mallra elektronike amerikane, por që nuk u vu në zbatim.

Në fakt, Erdogani iu bashkua një kori zërash që po bëjnë thirrje për bojkot.

Parlamenti i Pakistanit miratoi të hënën një rezolutë që i kërkon qeverisë të tërheqë ambasadorin nga Parisi, duke akuzuar Presidentin Emmanuel Macron për “urrejtje” kundër myslimanëve.

Rezoluta e Asamblesë Kombëtare, u miratua pak orë pasi ambasadori francez në Islamabad u thirr në ministrinë e Jashtme për t’i paraqitur një protestë zyrtare.

Rezoluta i kërkon qeverisë t’i bëjë thirrje edhe vendeve të tjera myslimane për të bojkotuar mallrat franceze.

Në qytetin e Kuvajtit, një supermarket hoqi nga raftet produktet kozmetike të firmës L’Oreal.

Në Arabinë Saudite, thirrjet për bojkot të supermarketit francez Carrefour ishin në trend në mediat sociale.

Një përfaqësues i kompanisë në Francë tha se ende nuk po ndihej ndonjë ndikim i këtyre thirrjeve.

Bizneset franceze operojnë nëpër tregjet e vendeve me shumicë myslimane kudo në botë.

I PRITET KOKA MËSUESIT

Dy ditë më parë, zoti Erdogan kishte vënë në pikëpyetje gjendjen mendore të zotit Macron, duke bërë që Parisi të tërhiqte ambasadorin e tij nga Ankaraja.

“Cili është problemi i këttij njeriu të quajtur Macron me myslimanët dhe fenë islame? Macron ka nevojë për trajtim në nivel mendor,” tha zoti Erdogan në një fjalim të shtunën.

Mosmarrëveshjet i kanë rrënjët te sulmi me thikë pranë një shkolle franceze më 16 tetor, ku një 18 vjeçar me origjinë çeçene i preu kokën mësuesit 47-vjeçar Samuel Paty, i cili u kishte u kishte treguar nxënësve karikaturat e Profetit Muhamet në një orë mësimi për lirinë e fjalës.

Karikaturat për herë të parë u shfaqën shumë vite më parë në revistën satirike Charlie Hebdo, redaksia e së cilës në Paris u sulmua në vitin 2015 nga persona të armatosur që vranë 12 vetë.

Që nga ngjarja e 16 tetorit të këtij viti, karikaturat janë projektuar në fasadën e një ndërtese të një qyteti dhe njerëzit po i shfaqin ato nëpër protestat kudo në Francë.

Zoti Macron ka thënë se do të dyfishojë përpjekjet për të ndalur besimet radikale islamike të minojnë vlerat franceze.

Autoriteti më i lartë fetar i Arabisë Saudite, Këshilli i Studiuesve të Lartë, tha në një deklaratë për mediat shtetërore se fyerja e profetëve nuk ka asnjë lidhje me lirinë e shprehjes dhe se kjo vetëm se u shërben “ekstremistëve që synojnë të përhapin urrejtje”.

Qeveria e Katarit publikoi një deklaratë të hënën duke dënuar atë që e përshkroi si retorikë populiste që nxit abuzimin me fenë.

Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif shkroi në Twitter se fyerja e muslimanëve është një “abuzim oportunist i lirisë së fjalës që vetëm sa nxit ekstremizmin”.

ALEATËT EVROPIANË

Disa nga partnerët e Francës në Bashkimin Evropian shprehën solidaritet me udhëheqësin francez të hënën.

Kryeministri italian Giuseppe Conte, në një postim në Twitter, tha se komentet e zotit Erdogan drejtuar presidentit Macron janë të papranueshme.

Ministri i Jashtëm gjerman Heiko Maas tha se sulmet personale të Erdoganit shënojnë një pikë tjetër të ulët.

Kryeministri holandez Mark Rutte tha se vendi i tij qëndron në krah të Francës për lirinë e fjalës dhe kundër ekstremizmit.

Vetë Franca nuk ka lëvizur nga qëndrimi i saj. Në një koment në Twitter të dielën, zoti Macron tha se Franca i ka respektuar të gjitha ndryshimet në frymën e paqes, por shtoi: “Ne nuk do të dorëzohemi kurrë”.

Ministria e jashtme franceze tha në një deklaratë në fundjavë se kritikat ndaj Francës janë nxitur nga një pakicë radikale dhe u bëri thirrje qeverive të huaja të distancohen nga thirrjet për bojkot./voa

 

Fraksion.com