Maqedonia e Veriut dhe Kosova nënshkruajnë me SHBA Memorandumin për rrjetin 5G
Qeveria e Shteteve të Bashkuara nënshkroi në Shkup Memorandumin për Mirëkuptim dhe Siguri të Teknologjisë 5G me qeverinë e Maqedonisë së Veriut dhe atë të Kosovës.
Nënsekretari amerikan për Rritjen e Ekonomisë, Energjisë dhe Ambjentit, Keith Krach i nënshkroi dokumentet në takime të veçanta me Kryeministrat Zoran Zaev dhe me Avdullah Hotin, i cili ishte të premten për vizitë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
Zyrtari i lartë amerikan tha se memorandume të tilla janë dëshmi se bota po vetëdijësohet lidhur me rreziqet dhe shitësit e rrezikshëm.
Maqedonia e Veriut është vendi i 27 i Aleancës së Natos që i bashkohet rrjetit të pastër.
“Me memorandumin, vendet nënshkruese zotohen se nuk do të shfrytëzojnë teknologjinë 5G nga prodhues të pakontrolluar dhe jo të besueshëm. Rrjeti i pastër është një qasje gjithëpërfshirëse lidhur me kërcënimet afatagjata ndaj privacisë së të dhënave, sigurisë, besimit dhe bashkëpunimit e të drejtave të njeriut, siç paraqitet nga Partia Komuniste e Kinës. Kjo ceremoni nënshkrimi nuk është vetëm simbolikë besimi midis shteteve tona, por gjithashtu besim edhe midis shteteve me pikëpamje të njejta lidhur me rrjetin e pastër dhe përkushtimin e betejës epike të autoritarizmit kundër lirisë. “Rrjetet 5 G do të kenë ndikim të madh pozitiv për ekonomitë dhe qëndrueshmërinë e rajonit”, u shpreh zoti Krach.
Kryeministri Zaev tha se vendi i tij si kandidat për anëtarësim në BE e ka për detyrë t’i përshtasë politikat shtetërore për komunikime elektronike me ato të Bashkimit Evropian dhe zbatimin e teknologjisë 5G “me partnerin tonë srategjik dhe aleat në NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës”. Ai e cilësoi memorandumin si të një rëndësie jetike për mirëqenien ekonomike dhe për sigurinë kombëtare.
Zoti Zaev vlerëson se rrjeti 5G do të ndihmojë rreth energjisë elektrike dhe në transformimin e industrive tradicionale.
Sipas shtypit në Shkup, operatori më i madh i telefonisë celulare dhe komunikimeve në vend, Telekomi kishte qenë në proces të prokurimit të pajisjeve me mbështetje edhe të teknologjisë 5G nga prodhuesi kinez Huawei.
Ndërkohë, Kryeministri Hoti tha se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partnerë të padiskutueshëm të Republikës së Kosovës. “Po vazhdojmë me ndërmarrjen e hapave konkretë për përmbushjen në tërësi të marrëveshjes histotike të 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë”, theksoi kryeministri i Kosovës pas nënshkrimit të Memorandumit me Nënsekretarin amerikan, Keith Krach”./voa
Fraksion.com