AktualitetBota+Të fundit

VOA: Gjermanët presin ndryshime pas zgjedhjeve në SHBA

Ligjvënësit në Gjermani po presin rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara duke besuar se kjo do të ketë ndikim të rëndësishëm në vendin e tyre por edhe për Evropën. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Jaboc Russell sjell më shumë hollësi nga Berlini.

Në Gjermani, shumë mendojnë se ndikimi i zgjedhjeve presidenciale amerikane në vendin e tyre është më i madh se kudo në Evropë.

Vendi me ekonominë më të fuqishme në BE strehonte rreth 36 mijë trupa amerikane dhe me 200 miliardë dollarë në vit është partneri më i madh tregtar amerikan në Evropë.

Por marrëdhëniet historikisht të afërta midis dy vendeve janë ftohur pas akuzave të zotit Trump se Gjermania nuk po pëmbush përgjegjësitë e saj në NATO. Disa ligjvënës gjermanë tani ndihen të shqetësuar për aleancën transatlantike.

“Ka qënë një rrugë e vështirë gjatë katër viteve të fundit, pasi ShBA ndryshuan duke u larguar nga Evropa dhe kushtuar rëndësi gjerave të tjera në botë, ose duke u tërhequr nga roli i tyre si mbrojtës e garantues i rregullit ndërkombëtar. Gjermania që është ndërtuar mbi këto parime, po mundohet të kuptojë dhe të ripozicionohet ndaj këtyre ndryshimeve”, thotë Thomas Kleine-Brockoff nga Fondi Gjerman Marshall.

Vendimi i vitit të kaluar i Presidentit Trump për uljen e numrit të trupave amerikane në Gjermani ngjalli dyshime edhe më të mëdha për angazhimin e përgjithshëm të SHBA-së ndaj NATO-s.

“Nëse Amerika largohet dhe NATO shuhet, do të shihnim rritje të mosmarrëveshjeve në Evropë jo bashkim midis vendesh. Pra, do të kemi një kontinent evropian të përçarë dhe me shumë ballafaqime”, thotë Thomas Kleine-Brockoff nga Fondi Gjerman Marshall.

Jo të gjithë janë pesimistë. Partia e djathtë “Alternativa për Gjermaninë“ mirëpriti vendimin e Presidentit Trump për uljen e pranisë ushtarake. Të tjerë shohin mundësi të reja, pavarësisht se kush është president i ardhshëm amerikan.

“Nuk mendoj se është rezultat i udhëheqjes së zotit Trump fakti që ShBA vendosi përparësi të tjera, si për shembull interesat në Paqësor. Mendoj se është koha që evropianët të rriten dhe çlirohen nga varësia ndaj Shteteve të Bashkuara”, thotë Sophia Becker nga Këshilli gjerman për Marrëdhënie me Jashtë.

Cilido qoftë rezultati përtej Atlatikut, shumë në Berlin besojnë se, për mirë ose për keq, ndryshimi do të ndodhë së shpejti.

 

Fraksion.com