Pipero: Rastet me COVID-19 ulen nëse 60-70% e qytetarëve respektojnë vendosjen e maskave
Mjeku i njohur Pëllumb Pipero theksoi sot se, “mundësia për t’u infektuar në ambiente të jashtme është e vogël ose aksidentale, por edhe për këtë numër të kufizuar rastesh nëse 60-70% e qytetarëve e respektojnë vendosjen e maskave në ambientet publike presim të kemi ulje të ndjeshme të rasteve të të infektuarve”.
Gjatë një interviste televizive Pipero tha se, “duam që efikasiteti i vendosjes së maskës në ambientet e jashtme të jetë sa më i lartë. Dua ta ritheksoj, mjediset kryesore ku transmetohet ky virus janë vendet e mbyllura, shtëpi, lokalet e natës dhe shkolla”.
Duke u ndaluar në numrin e rasteve të shtuara me COVID-19 gjatë ditëve të fundit mjeku Pipero tha se, “numri i të shtruarve dhe atyre që kërkojnë ndihmë mjekësore jashtë spitalit është shtuar, dhe shqetësimi ynë pra i bluzave të bardha është maksimal dhe i institucioneve gjithashtu, po kjo duhet shoqëruar dhe me kujdesin e shtuar të qytetarëve për të mundësuar parandalimin. Parandalimi mundësohet duke respektuar protokollet kudo ku kryejmë aktivitet jetësor për të vendosur maskën kudo ku është e nevojshme dhe për të ruajtur distancën kudo ku është e mundshme”.
Nëse rrezikohet një mbyllje e dytë për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve Pipero tha se, “unë nuk besoj që do të kemi një valë të dytë apo mbyllje të dytë, edhe pse numri po shtohet. Ka një gjë të veçantë për gripet të vitit stinor. Masat e vendosura për përhapjen e COVID janë shumë efektive dhe për parandalimin e gripit stinor. Nuk besoj në një mbyllje të dytë. Rekomandoj në një kufizim sa më herët të jetë e mundur për ato mjedise ku qarkullimi i virusit është i lartë. Duhet të kufizojnë sa më shumë aktivitetin e tyre, restorantet dhe lokalet e natës”.
Fraksion.com