AktualitetRajoniTë fundit

Forumi i Ballkanit 2020 kundër Antisemitizmit; Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo folësi kryesor

Sekretari Amerikan i Shtetit  Michael Pompeo ka konfirmuar pjesëmarrjen e tij në Forumin e Ballkanit 2020 Kundër Antisemitizmit.

Lajmin e ka dhënë kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili shprehet, “mirënjohës ndaj Sekretarit të Shtetit të SHBA, Michael Pompeo, i cili sapo konfirmoi se do të jetë folësi kryesor i Forumit të Ballkanit 2020 Kundër Antisemitizmit”.

“Lufta kundër antisemitizmit është një domosdoshmëri dhe kritike morale për promovimin e lirisë fetare. Kemi nderin të shpallim Sekretarin e Shtetit të SHBA Michael Pompeo, si folësin kryesor të Forumit të Ballkanit 2020 Kundër Antisemitizmit”, thuhet në njoftimin e Forumit.

Edhe ambasadorja e SHBA, Yuri Kim reagoi ndaj lajmit se Sekretari Pompeo do të mbajë fjalën e tij në këtë Forum.

“Pres me padurim fjalimin kryesor të Sekretarit Pompeo në Forumin Ballkanik Kundër Antisemitizmit, që do të organizohet nga Shqipëria më 28 Tetor. Shqipëria, e cila mbronte hebrenjtë kur askush tjetër nuk do ta bënte gjatë Luftës së Dytë Botërore, unanimisht votoi sot në Parlament për të miratuar përkufizimin e antisemitizmit të Aleancës Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, u shpreh Kim.

Kuvendi i Shqipërisë miratoi sot rezolutën “Për miratimin e përkufizimit të përdorshëm për antisemitizmin, përcaktuar nga Aleanca Ndërkombëtare për Përkujtimin e Holokaustit”, propozuar nga Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe deputetja Blerina Gjylameti.

Miratimi i Rezolutës i paraprin organizimit, më datë 28 tetor, nga Kuvendi, në bashkëpunim me Lëvizjen për të Luftuar Antisemitizmin, i veprimtarisë së parë në rajon kushtuar kësaj çështjeje: Forumi i Ballkanit 2020 kundër Antisemitizmit.

Të ftuar për të marrë pjesë në këtë Forum janë personalitete të shquar ndërkombëtare, si Sekretari i Shtetit, Michael Pompeo, përfaqësues nga Parlamenti Europian, vendet e Bashkimit Europian, kryeparlamentarët e vendeve të rajonit, shtetarë të lartë të Izraelit, përfaqësues të Trupit Diplomatik etj.

 

Fraksion.com