AktualitetBota+Të fundit

Demokratët në Senat vënë në shënjestër politikën e jashtme të Presidentit Trump

Ligjvënësi më i lartë demokrat në Komisionin e Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë tha të mërkurën se politika e jashtme e administratës Trump është shkëputur nga shembulli i presidentëve të kaluar, që SHBA të ishte një model për demokracinë dhe lirinë.

“Pasojat e fjalëve dhe veprimeve të Donald Trump-it kanë qenë pothuajse pa dyshim negative për popullin amerikan dhe për interesat më të gjera të Shteteve të Bashkuara globalisht”, tha numri i dy i komisionit Bob Menendez ndërsa u paraqiti gazetarëve një raport me titull, “Kostot e politikës së jashtme të Presidentit Trump”.

Në rekomandimet e tij, raporti bën thirrje për angazhim të ri të SHBA me institucionet shumëpalëshe, ndërsa u komunikon aleatëve dhe partnerëve se marrëdhëniet e Amerikës me ta bazohen në vlera të përbashkëta. Raporti gjithashtu rekomandon që “udhëheqësit autokratë të paralajmërohen se Shtetet e Bashkuara do t’i mbajnë ata përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut dhe përpjekjet për të shtypur qytetarët e tyre” dhe se SHBA duhet t’u japin përparësi “rreziqeve serioze me të cilat përballen amerikanët dhe bota nga kërcënimet globale, si ndryshimi i klimës, pandemitë, autoritarizmi dhe përhapja e armëve bërthamore, të cilat administrata Trump i ka injoruar.”

Përgatitur nga stafi demokrat i Komsionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, raporti mbështetet në intervista me ekspertë dhe ish-zyrtarë të qeverisë amerikane apo të qeverive të huaja për të shqyrtuar ndikimin që politika e jashtme e administratës ka pasur në qëndrimet e SHBA në arenën globale.

“Presidentët e kaluar të SHBA-ve u përpoqën t’i paraqesin Shtetet e Bashkuara si një model për atë që mund të arrijë një shoqëri kur bazohet në demokracinë dhe lirinë. Presidenti Trump, nga ana e tij, ka treguar vazhdimisht përbuzje ndaj pluralizmit, të drejtave të njeriut, shoqërisë civile, shtypit dhe sundimit të ligjit”, thuhet në raport.

Raporti përmend mes të tjerash tërheqjen e papritur nga zoti Trump të trupave amerikane nga Siria dhe kritikat e tij ndaj udhëheqësve demokratikë duke përfshirë Kancelaren gjermane Angela Merkel dhe Kryeministrin kanadez Justin Trudeau ndërsa ka vleruar udhëheqësit autoritarë si Presidentin rus Vladimir Putin, Presidentin kinez Xi Jinping dhe udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un

Përmbysje politikash

Katër vjet më parë ndërsa kandidonte për president, zoti Trump u zotua të “shkundë ndryshkun nga politika e jashtme e Amerikës”. Pjesa më e madhe e përpjekjeve të administratës së tij është përqendruar në përmbysjen e asaj që ai e ka quajtur vazhdimisht një “politikë e jashtme katastrofike” e paraardhësit të tij, Presidentit Barack Obama.

Senatori Menendez tha se tani, gati katër vjet pas ardhjes së zotit Trump në Shtëpinë e Bardhë, “ne i shohim programet bërthamore dhe raketore të Koresë së Veriut më të mëdha dhe më të afta se më parë. Ne e shohim Iranin duke iu afruar prodhimit të një arme bërthamore. Dhe në vend që të ndërtojë aleanca ose të dalë me një marrëveshje më të mirë siç premtoi, Presidenti Trump ka tjetërsuar partnerët dhe aleatët tanë. Në fakt, ky president ka ngacmuar vazhdimisht dhe ka kërcënuar miqtë tanë më të ngushtë,” thuhet në raport.

James Jay Carafano, nënpresident i Institutit Kathryn dhe Shelby Cullom Davis për Sigurinë Kombëtare dhe Politikën e Jashtme në Fondacionin Heritage, tha se një pikëpamje tillë injoron hollësitë e politikës së SHBA që shpesh kërkojnë përgjigje ndaj sfidave, të cilat i tejkalojnë mandatet presidenciale.

“‘Ne e urrejmë Trumpin’ është thjesht një lloj justifikimi. E gjitha kjo përdoret për të mbuluar ato lloje sfidash që tashmë ekzistonin kur presidenti erdhi në Shtëpinë e Bardhë. Njerëzit harrojnë se evropianët nuk ishin të çmendur pas Obamës dhe viteve të tij të fundit dhe se ata nuk mendonin që politika e SHBA po shkonte në drejtimin e duhur,” tha zoti Carafano.

Nëse demokratët fitojnë kontrollin e Senatit në zgjedhjet e ardhshme, senatori Menendez mund të merrte kryesinë e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë.

‘Tepër partiak’

Carafano vuri në dukje se fjala “është për një raport tepër partiak, siç edhe mund të pritet në mes të një cikli zgjedhor. Unë nuk mendoj se ka ndonjë besueshmëri. A doni të lexoni retorika dhe komente në Twitter? Apo doni të shihni se si po ekzekutohet në të vërtetë politika amerikane?” u shpreh ai.

Sipas një deklarate mbi politikën e jashtme të postuar në faqen e internetit të Shtëpisë së Bardhë, administrata Trump synon të forcojë “ndikimin amerikan duke udhëhequr një koalicion vendesh të forta dhe të pavarura për të promovuar sigurinë, begatinë dhe paqen brenda dhe jashtë kufijve të Amerikës.”

Nga ana e tij zoti Carafano tha se Shtetet e Bashkuara janë sot në një pozitë më të mirë sa i përket marrëdhënieve në Afrikë, në rajonin e Indo-Paqësorit dhe në Amerikën Latine.

Sipas Qendrës Kërkimore Pew, 57% e votuesve amerikanë e rendisin politikën e jashtme si një çështje të rëndësishme për zgjedhjet e tanishme, por pas çështjeve të brendshme si ekonomia, kujdesi shëndetësor dhe koronavirusi./VOA

 

Fraksion.com