AktualitetPolitikëTë fundit

Vizita e kryediplomatit grek në Tiranë; Pse PDIU protestoi para Ministrisë së Jashtme

Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet zhvilloi sot një protest para Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme lidhur me vizitën në Tiranë të kryediplomatit grek, Nikos Dendias.

Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi tha se qëllimi i protestës është t’i tregohej ministrit grek se duhet të heqë ligjin e luftës me Shqipërinë.

“Shqipëria nuk ka 12 milje për t’ia dhënë Greqisë, nuk mund ta injorojnë genocidin e Çamërisë”, u shpreh Idrizi.

Ai tha se “tragjedia e shqiptarëve të Çamërisë sigurisht që dhemb sepse Shqipëria që kemi sot, është për shkak të sakrifikimit të Kosovës dhe Çamërisë. Do të vazhdojmë të protestojmë,  nuk mund të lejojmë të vijojë deviza e Serbisë dhe Greqisë, që “çka është e tyre është e tyre, çka është e Shqipërisë është e diskutueshme”.

Idrizi tha se “Shqipëria me Greqinë ka për të biseduar vetëm për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike. Jo për ujërat territoriale dhe ky është vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.

“Çështjet kombëtare, heqja e ligjit të luftës, çështja çame, çështja e detit dhe shumë lëshime që kemi bërë për varrezat, për cencusin, për ligjin për toponimet, zgjidhen dhe do të marrin zgjidhje vetëm kur shteti shqiptar t’i trajtojë me dinjitet, me reciprocitet edhe me dije”, tha ai.

Më pas protestuesit e PDIU-së u zhvendosën nga MEPJ-ja drejt Kryeministrisë ndërkohë kur ministri grek  do të zhvillonte një takim edhe me kryeministrin Rama.

Gjatë zhvillimit të tubimit, Policia para se të ndërhynte për të shpërndarë tubimin, u ka bërë thirrje protestuesve që të shpërndaheshin, pasi po zhvillohej në kundërshtim me masat anticovid.

18 shtetas, 3 prej tyre organizatorë të tubimit para ministrisë së jashtme janë proceduar penalisht për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”. Mes të shoqëruarve është dhe drejtuesi i VV, Bojken Abazi.

Policia procedoi penalisht Shpëtim Idrizin dhe Mesila Dodën dhe Boiken Abazin si tre organizatorët e protestës së sotme të PDIU.

 

 

Fraksion.com