AktualitetPolitikëTë fundit

 Shqipëria dhe Greqia kanë nisur punën për mbledhje të përbashkët të dy qeverive

“Kemi rënë dakord që të fillojmë punën për të organizuar një mbledhje të parë të të dy qeverive, për t’u marrë me çështjet që kanë rëndësi për njerëzit e zakonshëm dhe që kanë rëndësi për fëmijët tanë në Shqipëri dhe Greqi”, deklaroi kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias.

Në konferencën e përbashkët për shtyp, kryeministri falënderoi Greqinë për gatishmërinë e shprehur për të ndihmuar Shqipërinë jo vetëm në situatën e emergjencës për nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat e tërmetit të 26 nëntorit por edhe me ndihmë

“Nuk mund ta lë pa risjellë në kujtesën e të gjithëve që ministri ka qenë me ne dhe pranë nesh edhe në një moment jashtëzakonisht dramatik, kur tërmeti I 26 nëntorit goditi mijëra familje dhe në pak sekonda na vuri përballë një situate tejet të vështirë ku kontributi i drejtpërdrejt jo vetëm me praninë simbolike të ministrit këtu por edhe trupave të kërkim shpëtimit nga Greqia mes një rrjeti të gjerë trupash të ardhura nga vendet mike na mundësoi daljen nga ajo situatë, duke kursyer jo pak jetë njerëzish”, tha Rama.

“Asnjëherë nuk do ta harroj momentin e nxjerrjes nga rrënojat e një djali të ri nga trupat e shpëtimit të ardhura nga Greqia në kushte të rrezikshme për jetën e tyre. Ata djem me uniformën e një vendi tjetër, fqinj që vinin për herë të parë këtu ishin gati të sakrifikonin edhe jetën e tyre për të shpëtuar pas orësh të tëra duke përparuar me milimetra nën një pallat të tërë që ishte rrëzuar”, u shpreh kryeministri.

Ndërkaq, ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Dendias e cilësoi anakronizëm ligjin e luftës që Greqia ka me Shqipërinë.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, Dendias u shpreh se, “referuar çështjes së ligjit të luftës, kjo gjë është një anakronizëm dhe jam i sigurt se dhe këtë do ta zgjidhim së bashku. Dhe është një gëzim i madh për mua që kam mundësinë ta them këtë gjë këtu nga Tirana, në opinionin publik shqiptar me urdhër të kryeministrit Mitsotakis”.

Dendias shprehu kënaqësinë që rikthehej në Shqipëri pas një viti.

“Herën e mëparshme kisha ardhur këtu po me urdhër të kryeministrit tim pas tërmetit të fuqishëm që kishte ndodhur në Durrës. Kam ardhur pas kohë më pas për të parë dhe për të kërkuar sesi mund të qëndrojmë pranë jush, pranë popullit mik shqiptar. Do të dëshiroja, .z kryeministër t’ju falënderoj nga zemra për të gjitha fjalët e mira që ju thatë për përpjekjet tona. Sepse është një përpjekje miqsh, e cila rrezaton ndjesitë reale të popullit grek dhe të komunitetit grek përkundrejt popullit mik shqiptar”, u shpreh Dendias.

Dendias përgëzoi Shqipërinë për kryesinë e OSBE-së. “Do të doja t’ju përgëzoja për kryesinë e OSBE-së këtë vit. Shqipëria madje tregoi dhe evidentoi se brenda kushteve të koronavirusit mundi të ushtrojë një kryesi, një presidencë esenciale. Është shumë e rëndësishme kjo për qeverinë tuaj dhe për të gjithë zonën tonë dhe rajonin tonë”, tha ai.

Sa i përket marrëdhënieve dypalëshe, Dendias tha se, “na bashkojnë shumë gjëra dhe prezenca ime sot këtu synon pikërisht nënvizimin e një axhende dinamike dhe pozitive të marrëdhënieve tona”.

“Ne kemi një vullnet shumë të fuqishëm që t’i çojmë këto marrëdhënie akoma më tutje dhe më lart dhe të zgjidhim në një klimë të një besimi reciprok dhe të një respekti reciprok të gjitha ato gjëra që kanë mbetur pezull”, u shpreh ai.

Veçanërisht, theksoi Dendias, “një urë e lidhjeve tona është minoriteti grek që jeton në Shqipëri. Një urë gjithashtu janë dhe mijëra qytetarët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi”.

Dendias theksoi “kontributin esencial qoftë të shtetasve grek në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë, por edhe të qytetarëve shqiptarë në zhvillimin ekonomik të Greqisë”.

“Integrimi dhe hyrja e Shqipërisë në BE është një objektiv i yni i përbashkët. Ne jemi të gatshëm që të ecim me Shqipërinë duke përfshirë këtu dhe të gjithë dijet teknike që mund të ofrojmë kur ju dhe qeveria juaj gjykoni se do të ishte e nevojshme ta bënim këtë gjë”, tha Dendias.

Ai theksoi se, “Greqia përmes axhendës së Selanikut, e cila është inauguruar përpara dy dhjetëvjeçarësh ka mbështetur në mënyrë të qëndrueshme dhe diakronike si objektiv strategjik integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor”.

“Gjithashtu u referuam dhe në marrëveshjen që Shqipëria dhe Greqia ka në 96-ën dhe ramë dakord se marrëveshja e 96-ës ka nevojë për thellim dhe për një dinamizëm që të ecim së bashku në një marrëveshje të re sa i përket partneritetit strategjik mes dy vendeve dhe të bëjmë një mbledhje qeveritare mes të dyja qeverive dhe të krijojmë një mekanizëm mes dy vendeve mike”, u shpreh Dendias.

“Diskutuam gjithashtu edhe për një nga urat që na lidh. I referohem anëtarëve të minoritetit, por edhe frymës që duhet të dalë dhe të përshkojë idenë e fqinjësisë së mirë. Nuk duhet të humbasim kohë tjetër dhe unë mendoj se kemi arritur në marrëdhëniet tona shumë gjëra dhe për ne mbetet tani që të shkojmë akoma më përpara”, theksoi ai.

 

Freaksion.com