AktualitetTë fundit

“Në reanimacion preka vdekjen”;Drejtoresha e ISHSH-së tregon për betejën me COVID-19: Të luftojmë këtë infeksion të pabesë

Drejtoresha e Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor, Vjollca Braho ka treguar betejën e saj në përballje me koronavirusin.

Gjatë një takim me Taskforcën për zbatimin e masave anti-COVID, Braho shprehu mirënjohje për ekipin e mjekëve që u kujdesën për të, por edhe për të gjithë të sëmurët e tjerë të prekur nga COVID-19.

Pas 3 javësh e shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, Braho tha se “në reanimacion preka vdekjen, kur oksigjeni në trupin tim vajti në 40%”.

“Unë jam një dëshmi e gjallë. Pas 3 javëve në spitalin “Shefqet Ndroqi” preka vdekjen, kur oksigjeni në trupin tim vajti në 40%”. Dua t’i bëj një thirrje nga kjo foltore të gjithë atyre që janë skeptikë të cilët më merrnin në telefon e më pyesnin:  “Vjollca më të vërtetë është kaq i rëndë ky COVID?”. Ne të gjithë së bashku duhet të luftojmë për veten tonë dhe shoqërinë, që të mbajmë maskën e të parandalojmë përhapjen e këtij infeksioni të pabesë qe sot je mirë e nesër e shikon veten që je shtruar në spital”, tha Braho.

Ajo apeloi që “ të gjithë së bashku duhet të luftojmë si në 9 mars e deri më sot, të parandalojmë përhapjen, të mbajmë maskën t’i bëjmë qytetarët të ndërgjegjësuar, se nuk është shaka”.

Braho tha se “është me fat ai që nuk ka sëmundje të tjera, një nga ato isha dhe unë që bënë të mundur që unë të jetoj e të jem në mesin tuaj. Pas COVID që kalova ju siguroj se jam kthyer më e fortë që së bashku me kolegët e mi, të AKU-së, të Inspektoriatit të Punës dhe me Kryeinspektorin e Shqipërisë, ne do jemi një krah i fortë i ministres për të parandaluar përhapjen e COVID19 dhe për ti bërë të gjithë qytetarët të vetëdijshëm se duhet të mbajnë maskën si një factor për të parandaluar këtë sëmundje të rrezikshme dhe të pabesë që po e kalojnë jo vetëm shqiptarët, por edhe e gjithë bota”.

 

Fraksion.com