“Kërkesa e Thaçit, antikushtetuese”; Haga mbledh dokumente rreth mandatit të Speciales
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë tha se ndryshimet e propozuara kushtetuese nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për vazhdimin e mandatit të Gjykatës Speciale, kanë për qëllim kryesor t’i zhbëjnë ose bëjnë të pavlefshme veprimet e Prokurorisë së Specializuar.
Komenti i Prokurorit të Specializuar vjen pas kërkesës për informacion nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë.
Kjo dhomë është duke bërë vlerësimin e kërkesës së Thaçit rreth ndryshimeve kushtetuese, që lidhen me mandatin e Gjykatës Speciale.
E njëjta kërkesë për informacion i është dërguar edhe presidentit Thaçi, Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX, dhe Shërbimit të Jashtëm të BE-së.
Dy institucionet e fundit kanë kërkuar shtyrje të afatit për dorëzimin e informacioneve të tyre.
Në deklaratën e Zyrës së Prokurorit të Specializuar thuhet se ndryshimet e propozuara nga Thaçi “i zvogëlojnë të drejtat dhe liritë e garantuara nga Kapitulli II i Kushtetutës dhe janë antikushtetuese”.
Presidenti Thaçi i është drejtuar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës me propozimin për ndryshimin e Kushtetutës, në fund të gushtit.
Në propozimin e tij, ai ka kërkuar që të ndryshohet neni i amendamentit kushtetues, ku thuhet se mandati i Gjykatës Speciale do të zgjasë për një periudhë pesëvjeçare.
Sipas propozimit të Thaçit, mandati i Gjykatës Speciale “do të zgjasë deri kur njoftimi i përfundimit të mandatit të bëhet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, në konsultim me Qeverinë e Republikës së Kosovës”.
Më 18 shtator, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se ka dërguar në Hagë kërkesën e Thaçit lidhur me mandatin e Gjykatës Speciale.
Sipas nenit 144 të Kushtetutës, ndryshimet kushtetuese miratohen me 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.
Votimi bëhet pasi që kryetarja e Kuvendit t’i adresohet Kushtetueses për të vlerësuar paraprakisht ndryshimet e propozuara.
Më 16 tetor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka publikuar edhe komentin që ka bërë presidenti Thaçi, në përgjigje të informacionit të kërkuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese në Hagë.
Mes tjerash, Thaçi ka thënë se kërkesa për ndryshim të Kushtetutës është bërë për të sqaruar disa paqartësi, në lidhje me përfundimin e mandatit të Gjykatës Speciale.
Duke përmendur disa formulime në Kushtetutë, Thaçi ka thënë se ato kanë bërë që opinioni kosovar të mendojë se mandati i Gjykatës Speciale do të zgjasë për një periudhë më së shumti pesëvjeçare.
“Për t’i shmangur këto paqartësi dhe për ta eliminuar çdo dilemë është rekomanduar që të bëhen amendamentet e propozuara të Nenit 162 të Kushtetutës, gjegjësisht paragrafët 13 dhe 14 të riformulohen”, thuhet në informacionin e ofruar nga Thaçi.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte kundër presidentit Hashim Thaçi, në muajin prill.
Këtë muaj pritet të bëhet e ditur nëse aktakuza është konfirmuar apo hedhur poshtë nga gjykatësi i procedurës paraprake, i cili i ka pasur gjashtë muaj kohë për ta shqyrtuar.
Dhomat e Specializuara dhe Prokuroria e Specializuar në Hagë, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./REL
Fraksion.com