Vështirësitë në rritje të mbrojtjes nga raketat e Koresë së Veriut
Analistët thonë se raketa balistike ndërkontinentale e prezantuar kohët e fundit nga Koreja e Veriut është krijuar për të mbingarkuar sistemet amerikane të mbrojtjes nga raketat. Ekspertët theksojnë se kjo do ta bënte gjithnjë e më të vështirë dhe me kosto më të lartë mbrojtjen kundër fuqisë raketore në rritje të Koresë së Veriut.
Raketa më e madhe ndërkontinentale e Koresë së Veriut deri më tani, u shfaq në këtë paradë ushtarake gjatë natës.
Raketa pothuajse me siguri mund të arrijë Shtetet e Bashkuara, por rrezja e saj e veprimit nuk është shqetësimi më i madh.
Koreja e Veriut tashmë ka treguar se mund të lëshojë raketa që mund të godasin territorin amerikan.
Tani, analistët thonë se Pheniani dëshiron të tregojë se mund të instalojë më shumë mbushje bërthamore në një raketë të vetme ndërkontinentale.
Për sistemet e mbrojtjes amerikane, interceptimi i mbushjeve të shumta bërthamore do të ishte shumë më i vështirë, thotë analistja Melissa Hanham.
“Nëse nga një raketë e vetme dalin shumë mbushje bërthamore, kjo kërkon interceptorë për secilën prej tyre”, thotë ajo.
Nëse Shtetet e Bashkuara do të duhet të shtojnë numrin e interceptorëve, ky do të kishte një kosto shumë të lartë, më tepër se kostoja e Koresë së Veriut për të prodhuar më shumë raketa.
“Sfida është se po bëhet gjithmonë më e lirë dhe më e lehtë për të prodhuar një raketë të re sesa një sistem të gjerë të mbrojtjes nga raketat, i cili përfshin sensorë për të diktuar raketat dhe interceptorë për secilën raketë”, thotë ekspertja.
Megjithatë, raketat ndërkontinentale të Koresë së Veriut kanë të meta. Automjetet e mëdha me 22 rrota që përdoren për lëshimin e tyre nuk janë të shpejta. Do të duhej një kohë e gjatë për t’i përgatitur dhe për t’i furnizuar me karburant.
Ato gjithashtu nuk janë testuar, por kjo së shpejti mund të ndryshojë, thotë analisti Bruce Klingner.
“Mendoj se do të shohim një testim të raketave ndërkontinentale vitin e ardhshëm. Koreja e Veriut tenton të bëjë diçka shumë provokuese në vitin e parë të një administrate të re amerikane ose koreanojugore. Kështu që pavarësisht se kush është presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, unë pres të shohim prova me këtë raketë të re ndërkontinentale”, thotë ai.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong Un mund të ngurrojë të kryejë një provë të madhe raketore para zgjedhjeve të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara.
Por në fillim të këtij viti, ai tha se nuk ndihet më i detyruar nga moratoriumi për provat me raketa bërthamore dhe ato me rreze të gjatë veprimi.
Fraksion.com