“Qeveria është e tyrja”; Rama thirrje grevistëve: I gatshëm të bisedojmë për këtë hall të përbashkët, por jo kështu
Kryeministri Edi Rama ftoi sot naftëtarët e Rafinerisë së Ballshit të ndërpresin grevën, ndërsa shprehu gatishmërinë të ulet e të bisedojë me ta për këtë hall të përbashkët.
“U përsëris naftëtarëve të Ballshit që greva e tyre është e panevojshme, sepse unë jam me ta dhe qeveria është e tyrja”, tha Rama.
Kryeministri garantoi se “ne jemi plotësisht të ndjeshëm ndaj hallit të tyre që është edhe halli ynë dhe është absurde që hallin t’ua qajnë ata që ua shkaktuan”.
“I ftoj vëllazërisht ta ndërpresin grevën dhe jam i gatshëm të ulem e të bisedoj me ta për këtë hall të përbashkët, por jo kështu! Kështu jo, sepse presionet e ultimatumet nuk funksionojnë në asnjë familje dhe punëtorët e Ballshit nuk bëjnë përjashtim nga ky parim i panegociueshëm”, tha Rama.
Naftëtarët e Ballshit prej 22 ditësh ndodhen në grevë urie, ku fillimisht ishin burrat naftëtarë që qëndruan për 17 ditë në grevë uri, ndërsa më pas u zëvendësuar nga gratë naftëtare, të cilat sot ndodhen në ditën e 5 të grevës së urisë. Naftëtarët kanë bërë disa herë thirrje kryeministrit Rama që t’i japin zgjidhje problemit të tyre, të cilët kërkojnë rrogat e tyre të prapambetura dhe nisjen e punës së rafinerisë.
Nga ana tjetër kryeministri Rama u ka bërë thirrje disa herë që të dalin nga greva pasi qeveria po punon për zgjidhjen e problemit të tyre.
Fraksion.com