AktualitetPolitikëTë fundit

“Meta i acaruar më shumë se kushdo tjetër për LSI-në”

Kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, theksoi sot se “Ilir Meta ka një dalje krejtësisht nga roli i Presidentit të Republikës, edhe ai vetë nuk e mohon. Më bën përshtypje se si një njeri që Kushtetuta dhe roli që ka e vendos të mos ketë sensibilitet për zgjedhjet është kaq i acaruar, ndërkohë që interesuari më i madh i këtyre zgjedhjeve pretendent për kryeministër, Basha, është i rehatuar dhe i qetë”.

Në një intervistë televizive, Patozi tha se “kjo është një situatë paradoksale që sot dha një shkëndijë rrufeje, kur Meta e goditi fort Bashën në konferencë shtypi. Nuk ka qenë lapsus, ka qenë e qëllimshme, ishte një lloj deklarate dhëmbë për dhëmbë në përgjigje, se Meta e dha atë deklaratë kur u pyet për Bashën”.

“Basha mund të merret vetëm peng nga qeveria, sepse Edi Rama që Presidenti e korrigjoi pastaj gjoja, nuk ka nga kush të merret peng se është njeriu më i pushtetshëm në Shqipëri. I doli nga shpirti, ose e kishte të menduar, Meta është qartazi i acaruar, më shumë se kushdo tjetër. Ose mendon që Basha po merret peng, ose mendon që LSI mund të humbasë,  atë rol që ka pasur në këto vitet e fundit edhe për shkak të qëndrimit të Lulzim Bashës”, – tha Patozi.

I pyetur për listat e hapura, Patozi tha se “Bindja Demokratike i ka listat 100% të hapura si për të parin e listës, ashtu edhe për të fundit të listës”.

“Ne kemi përcaktuar gjërat më të rëndësishme që një parti duhet të bëjë, kemi përcaktuar strategjinë, aleatët e mundshëm dhe këto janë thelbësore dhe mund të jemi e para që i kemi mbyllur këto. Aleatët e mundshëm janë ata që e mendojnë Shqipërinë si ne, që kërkojnë ndryshimin, jo rotacionin. Forca të tilla ka në treg, të tjerë kanë paralajmëruar që do të dalin dhe ne mezi presim që të bashkëpunojmë”, – tha Patozi.

 

Fraksion.com