AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: PPP dhe koncensionet korruptive do t’i nënshtrohen Ligjit Antimafia

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi sot se, situata është e rëndë, por Rama taksat e shqiptarëve ua jep 3 inceneratorëve.

Duke folur në një intervistë televizive, Basha theksoi se, me lekët që i janë dhënë 3 vetave ndihmoheshin mijëra shqiptarë në krizë.

“Akuzat i ka bërë vetë qeveria, i ka bërë Ministria e Financave kur ka bërë analizat dhe kur shikojmë këto analiza të Ministrisë së Financës si kjo që kam këtu mbi tryezë sot, shikojmë se këto para kanë shkuar tek të dyshuarit e zakonshëm të kësaj qeverie dhe ndërkohë që shikonim analizën financiare, pamë që një shumë shumë e madhe e parave ka shkuar tek të ashtuquajturit inceneratorë të plehrave apo djegës të plehrave dhe kjo është arsyeja pse prej më shumë se një javë çështja e inceneratorëve të plehrave në Tiranë, Elbasan dhe në Fier kanë dominuar diskursin tonë politik”.

Basha tha se, “kemi 2 karabina, një në Tiranë dhe një në Fier. Dhe një impiant të dyshimtë i cili, në qoftë se shikon sahatin e prodhimit të energjisë ka punuar vetëm 23 ditë në 3 vjet.

Basha tha se, PPP dhe koncensionet korruptive do t’i nënshtrohen Ligjit Antimafia.

“Ky është një amendim në ligjin anti-mafia që do të bëj të mundur verifikim, sekuestrimin dhe konfiskimin e të gjitha të ardhurave të personave privat apo shtetëror të pasurisë të qytetarëve publik që verifikohen që kanë abuzuar me detyrën. Po kështu dhe të personave të afërm me pronarë të kompanive apo zyrtarëve që demostrohet që kanë abuzuar me detyrën. Pra, një paketë anti-mafia që synon goditjen e korrupsionit dhe abuzimit me pushtetin, mbrojtjen e pasurisë publike, garantimin e konkurencës së lirë dhe objekt i verifikimit do të jenë të gjitha kontratat PPP, të gjitha kontratat koncensionare, të gjitha kontratat e prokurimit publik, të gjitha kontratat e tjetërsimit të pasurisë publike, të gjitha aktet për leje, autorizime, licensa për shfrytëzimin e pasurisë publike. Ligji siç e kemi detajuar dhe në propozimin tonë do të ketë fuqi prapavepruese, kontratat abuzive dhe korruptive do të anullohen. Ka dhe sot dispozita të qarta në ligj që nuk zbatohen që kur dokumentohet një kontratë është abuzive është e pavlefshme me efekt prapa veprues dhe pasuria e përfituar në kundërshtim me ligjin, ju kthehet qytetarëve”.

“Risi e ligjit nuk është thjeshtë që çohen në prokurori dhe të dënohen penalisht por që me këtë mekanizëm anti-mafia pasuritë dhe paratë e tyre do të sekuestrohen, natyrisht kjo do të bëhet në mënyrë të tillë që çdo hap i verifikimit i hetimit dhe i konfiskimit apo sekuestrimit të pasurive të bëhet në mënyrë transparente, konform normave ligjore të Shqipërisë dhe konventës europiane të të drejtave të njeriut”, theksoi Basha.

 

Fraksion.com