Skadon embargo e armëve e vendosur nga OKB mbi Iranin, përkundër kundërshtimit të Shteteve të Bashkuara
Ndërsa këmbëngul se nuk ka në plan për “blerje me shumicë“, teorikisht Irani mund të blejë armë për të përforcuar armatimin ushtarak që daton para Revolucionit Islamik të vitit 1979 dhe mund të shesë pajisjet që i prodhon. Megjithatë, ekonomia e Iranit mbetet e dëmtuar nga sanksionet amerikane ndërsa vende tjera pritet të shmangin marrëveshjet për armë me Teheranin nga frika e hakmarrjes financiare amerikane.
Republika Islamike e cilësoi përfundimin e embargos së armëve si “një ditë të rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar” në kundërshtim të asaj që ata e quajnë “regjim amerikan”.
Ndërkohë, administrata e PresidentitTrump këmbënguli në rivendosjen e sanksioneve mbi Iranin përmes një klauzole të marrëveshjes bërthamore, nga e cila u tërhoq në vitin 2018, pretendim ky që nuk u mor parasyshë nga pjesa tjetër e botës.
“Normalizimi i sotëm i bashkëpunimit mbrojtës të Iranit me botën është një fitore për kauzën e multilaterizmit, paqes dhe sigurisë në rajonin tonë“, shkroi në Twitter Javad Zarif, Ministër i jashtëm i Iranit.
Kombet e Bashkuara e ndaluan Iranin të blinte sisteme të mëdha të armëve të huaja në vitin 2010, pas tensioneve për programin bërthamor iranin. Një embargo e mëhershme kishte synim pengimin e eksportimit të armëve iraniane.
Agjencia e zbulimit të ushtrisë amerikane parashikoi në vitin 2019 se pas skadimit të emgargos, nëse embargo skadon, Irani do të mundohet të blejë avionë luftarakë rus SU-30, avionët trajnues Yak-130 dhe tanke T-90. Tehrani mund të përpiqet të blejë edhe sistemin anti-raketor S-400 dhe sistemin detar të raketave mbrojtëse Bastian, thuhet në njoftimin e agjencisë amerikane DIA. Kina gjithashtu mund t’i shesë armë Iranit.
Prej kohësh, Irani ka ngelur pas vendeve të Gjirit që mbështeten nga ShBA, si Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe të cilat kanë shpenzuar miliarda miliarda dollarë duke blerë armë amerikane. Si përgjigje, Teherani filloi prodhimin e raketave balistike.
Irani fajëson Gjirin Arab për blerje të pajisjeve mbrojtëse amerikane të cilat i quan “marrëveshje fatkeqe të armëve” pasi disa nga ato armë janë përdorur në luftën e vazhdueshme të Jemenit. Në atë konflikt përfshihen një koalicion i udhëhequr nga sauditët që mbështet qeverinë e njohur ndërkombëtarisht të vendit dhe forcat rebele në anën tjetër të mbështetura nga Irani.
Sidoqoftë, embargoja e OKB-së nuk e ndaloi Iranin që t’u dërgojë rebelëve Houthi armë,që nga pushkët e deri tek raketat balistike. Ndërsa Teherani mohon armatosjen e rebelëve Houthi, qeveritë perëndimore dhe ekspertët e armëve vazhdimisht akuzojnë Iranin për furnizim me armë të rebelëve.
Gjashtë vende arabe të Gjirit, që mbështetën zgjatjen e embargos së armëve, theksuan dërgesat e armëve në Jemen ndërsa kundërshtuan shitjen e armëve Iranit.
Ato vende përmendën në një letër dërguar Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara se Irani pa dashje qëlloi një avion me udhëtarë nga Ukrania në janar dhe se trupat e marinës iraniane aksidentalisht vranë 19 marinarë pas një sulmi me raketa gjatë një stërvitje.
OKB-ja gjithashtu lidhi Iranin me një sulm të vitit 2019 ndaj rafinerisë kryesore të naftës së papërpunuar të Arabisë Saudite, gjë që mohohet nga Teherani ndërsa rebelët Houthi morën përgjegjësinë.
E diela shënon fundin e vendimit tjetër të OKB-së që ndalon udhëtimin e disa anëtarëve të njësiteve ushtarake dhe paramilitare të Gardës Revolucionare të Iranit.
Tensionet ShBA-Iran arritën kulmin në fillim të vitit, kur një dron amerikan vrau në Bagdad një udhëheqës të lartë ushtarak të Iranit. Teherani u hakmor përmes një sulmi me raketa balistike ndaj forcave amerikane në Irak duke plagosur dhjetëra ushtarë.
Në muajt e fundit, provokimet nga të dyja palët janë pakësuar sepse Presidenti Donald Trump është i përqëndruar në garën presidenciale kundër kandaidatit demokrat Joe Biden, i cili ka thënë se është i gatshëm t’i ofrojë Iranit një zgjidhje diplomatike nëse Teherani zotohet për zbatim të marrëveshjes./VOA
Fraksion.com