Masat kundër COVID-19: Protestuesit përleshen me policinë në Pragë
Rreth dy mijë tifozë të futbollit dhe hokejit në akull kanë protestuar kundër masave të vendosura nga autoritetet në Pragë për të frenuar koronavirusin.
Protestuesit u përleshën dhunshëm me forcat e sigurisë, raporton agjencia Dpa.
Protestuesit shkelën ndalesën për tubime të më shumë se 500 personave, tha policia.
Organizatorët e përfunduan protestën pas një ore, por më pas ndodhën përleshjet.
Policia përdori gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë protestuesit të cilët hodhën në drejtim të policisë fishekzjarre dhe objekte të tjera. Sipas Agjencisë së Lajmeve Çeke, disa njerëz u lënduan gjatë këtyre përleshjeve, përfshirë edhe zyrtarë policorë të cilët më pas morën ndihmë mjekësore.
Policia tha se të paktën 20 persona janë lënduar nga përleshjet, raporton AP.
Sipas policisë, disa prej protestuesve iu konfiskuan shkopinj gome dhe armë zjarri gjatë kontrolleve që autoritetet e rendit kryen.
Protesta e së dielës në Pragë u iniciua nga klubi i futbollit Banik Ostrave, që pretendon se kufizimet e vendosura nga qeveria janë të pakuptimta dhe janë si rezultat i dështimit të shtetit për t’u përgatitur me valën e dytë të koronavirusit.
Ministri i Brendshëm çek, Jan Hamacek tha se organizatorët e protestës nuk do t’i ikin drejtësisë, pasi ata nuk kishin marrë masat e duhura që të respektojnë vendimet e qeverisë, sa i përket masave mbrojtëse kundër sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri.
Përmes një video-mesazhi të postuar në rrjetet sociale, kryeministri çek, Adrej Babis, u bëri thirrje qytetarëve që të respektojnë masat e vendosura nga qeveria për të luftuar virusin dhe kërkojë nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, nëse është e mundur.
Të hënën, Qeveria çeke ndaloi të gjitha ngjarjet sportive për një periudhë dyjavore, me përjashtim të ngjarjeve sportive me karakter ndërkombëtar.
Republika Çeke ka regjistruar numër të lartë të rasteve të reja në javët e fundit.
Më 5 tetor, ky shtet po ashtu rivendosi gjendjen e jashtëzakonshme.
Të shtunën, më 17 tetor, në Çeki u regjistruan 8,700 raste të reja me koronavirus, njoftuan autoritetet.
Që prej fillimit të pandemisë, Republika Çeke ka regjistruar pothuajse 169,000 raste me kroonavirus dhe mbi 1,350 viktima.
Fraksion.com