Hoti kërkon kujdes maksimal pas rritjes së rasteve me COVID-19
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti thotë se institucionet po përgatiten që t’i përgjigjen rritjes së numrit të rasteve të reja me koronavirus, duke iu bërë thirrje qytetarëve për kujdes maksimal.
Përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se pas rritjes së rasteve të reja me COVID-19 – sëmundjen që e shkakton koronavirusi – institucionet kanë bërë gati veprimet e nevojshme, për të evituar, siç u shpreh ai, një “mbyllje totale”.
Kryeministri Hoti tha se Shërbimi Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës ka plan për aktivizimin e shtretërve shtesë në Prishtinë dhe spitalet rajonale.
Po ashtu, ai tha se tashmë janë rritur kapacitetet testuese dhe sipas kryeministrit, testimet për koronavirus do të bëhen së shpejti edhe në rajone tjera.
Kosova më 17 tetor kreu rekord të testimeve brenda 24 orëve, duke testuar 1,028 për koronavirus.
Kryeministri Hoti tha po ashtu se Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) po ngrit struktura për të identifikuar vatrat infektive dhe po ashtu po bëhen kontrolle të shtuara nëpër shkolla.
Sa i përket vendeve me rrezik të lartë, Hoti tha se do të rishikohet lista dhe në të do të futen vendet që kanë regjistruar numër të lartë të infektimeve.
“Por, na duhet të tregojmë kujdes maksimal në punë, në shkollë, në biznes, në rrugë dhe në çdo aktivitet ku ka grumbullim të njerëzve. Duhet të kemi mirëkuptim për të evituar të gjitha tubimet publike të çfarëdo natyre, ashtu siç rekomandohet nga Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK”, tha kryeministri Hoti.
Në ditët e fundit, Kosova ka regjistruar rritje të rasteve të reja me COVID-19. Vetëm gjatë pesë ditëve të fundit, janë regjistruar 507 raste të reja.
Sipas të dhënave të IKSHPK-së, që prej 13 marsit – kur u regjistruan rastet e para – e deri më 17 tetor, në Kosovë janë regjistruar 16,754 raste me COVID-19.
Prej tyre, 652 pacientë kanë vdekur dhe 14, 617 janë shëruar.
Ndërkaq, raste aktive janë 1,485.
Fraksion.com