AktualitetTë fundit

OFL u dërgon kërkesën 3 të dënuarve në Vlorë, të vetëdeklarojnë burimet e pasurisë

Operacioni “Forca e Ligjit” u ka dërguar sot kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë 3 shtetasve me banim në Vlorë, të dënuar për vepra të ndryshme penale.

Në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve: S. Rr., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Vrasja me paramendim”; F. Z., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Rrëmbimi dhe mbajtja peng e personit me qëllim përfitimi”; B. A., banues në Vlorë, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së dhe më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, për veprime të mëtejshme.

OFL është në veprim të pandërprerë dhe në kryerje të veprimeve komplekse për vendosjen e sekuestrove emergjente mbi pasuritë e dyshuara të përfituara nga krimi, si dhe për dërgimin e formularëve të vetëdeklarimit të gjithë personave që janë subjekt i Ligjit Special.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

 

Fraksion.com