AktualitetBota+Të fundit

VOA: A është Presidenti Trump imun ndaj COVID-it?

Në të njëjtën ditë kur Presidenti Donald Trump bëri të ditur se ishte shëruar dhe kishte fituar imunitet ndaj koronavirusit, studiuesit njoftuan se një person mund të preket dy herë nga COVID-19.

“E kalova sëmundjen. Mjekët thonë se jam i imunizuar. Ndihem shumë i fuqishëm”, tha zoti Trump gjatë një tubimi elektoral në Florida të hënën.

Por në një studim të ri shkencëtarët detajojnë rastin e një personi nga Nevada, i cili brenda pak javësh u prek dy herë nga koronavirusi. Të dhënat rreth rastit jo vetëm që ngrenë pikëpyetje rreth kohëzgjatjes së imunitetit pas infektimit, por gjithashtu hedhin dyshime nëse vaksina mund të garantojë mbrojtje të përhershme.

“Është tërësisht e papërgjegjshme nga ana e presidentin që të thotë se ai është imun”, thotë Andrew Pavia, shefi i sektorit të sëmundjeve infektive pediatrike në universitetin e Jutas, i cili nuk ishte pjesë e studimit të ri. “Kjo është thjesht diçka të cilën nuk mund ta themi me garanci shkencore”, shton ai.

Infektimi për herë të dytë

Shkencëtarët përshkruajnë në një revistë mjeksore (The Lancet) rastin e një 25-vjeçari i cili u infektua dy herë brenda një distancë kohore prej rreth gjashtë javësh.

Në fund të marsit personi i seksit mashkull, kishte dhimbje fyti, kollë, dhimbje koke, diare dhe i vinte për të vjellë. Ai u testua më 18 prill dhe rezultoi se ishte prekur nga COVID-19.

Deri në fund të prillit simptomat iu zhdukën tërësisht. Ai u testua dy herë negativ gjatë muajit maj. Por në fund të majit ai u sëmur sërish, këtë herë më rëndë sesa herën e parë. 25 vjeçari u shtrua në spital dhe kishte nevojë për oksigjen shtesë. Rasti u ndoq me vëmendje nga Mark Pandori, drejtor i Laboratorit të Shëndetit Publik të Nevadës dhe bashkëautor i studimit të ri.

Në fillim të pandemisë infektimi sërish nga koronavirusi ishte një nga shumë pyetjet e rëndësishme me të cilën përballeshin zyrtarët e shëndetësisë. Pas identifikimit të pacientit të sëmurë dy herë nga COVID-19, përmes regjistrave të sistemit të shëndetit publik, ekspertët krahasuan kodin gjenetik të dy viruseve duke vëzhguar shtupat e pambukut të përdorura për testet laboratorike. Sipas zotit Pandori “ato ishin dy variante të ndryshme”.

Rasti i katërt i botuar

Ky shënon rastin e parë të konfirmuar të infektimit për herë të dytë në Amerikën e Veriut, por raste të tjera janë botuar në revista shkencore prej Hong Kongut, Belgjikës dhe Ekuadorit, ndërsa dyshohen edhe të tjera. Megjithëse janë konfirmuar vetëm katër raste të prekjes për herë të dytë nga COVID-19, nuk është e qartë se sa e zakonshme është kjo gjë.

“Ndërsa infektimi për herë të dytë duket si diçka që ndodh rrallë, në të vërtetë nuk e dimë, sepse nuk po e ndjekim këtë gjë me shumë vëmendje”, tha zoti Pandori.

Mbetet e paqartë se përse pacienti nga Nevada u sëmur më rëndë herën e dytë. Pacienti i parë i dokumentuar, i infektuar për herë të dytë, është një person i seksit mashkull nga Hong Kong, i cili nuk kishte fare simptoma herën e dytë të prekjes nga sëmundja.

“Rasti i Hong Kongut krijoi shpresa se infeksioni i përsëritur do të ishte më i lehtë se i pari”, thotë Rajesh Gandhi, mjek i sëmundjeve infektive në Shkollën Mjekësore të Harvardit dhe bashkëautor i udhëzimeve për trajtimin e COVID-19 në Institutin Kombëtar të Shëndetit dhe Sëmundjeve Infektive. Ai nuk është pjesë e studimit të ri.

“Ndoshta pacienti nga Nevada mori një dozë më të madhe të virusit herën e dytë”, tha zoti Gandhi. “Apo ndoshta ka diçka në lidhje me sistemin e tij imunitar që nuk e lejoi atë ta luftojë atë për herë të dytë”.

Shkencëtarët nuk kanë ende përgjigje shtoi ai. Është gjithashtu e mundur që virusi i dytë të ishte krejt i ndryshëm nga i pari.

“Kjo duket më pak e mundshme”, thotë zoti Pavia, i Universitetit të Jutës. “Por ne po mësojmë më shumë çdo ditë”, shtoi ai.

Imuniteti i përkohshëm

Disa viruse shkaktojnë imunitet të përhershëm pas një infeksioni, por të tjerë jo. Virusi që shkakton COVID-19 është pjesë e një familjeje të madhe të koronaviruseve, përfshirë disa që shkaktojnë ftohjen e zakonshme. Imuniteti ndaj këtyre viruseve zbehet pas një ose dy vitesh.

Ekspertët thonë se provat në rritje rreth infektimit për herë të dytë sugjerojnë se imuniteti ndaj virusit mund të jetë i përkohshëm. Zoti Pavia tha se kjo gjë jep argumenta të kundërt me një strategji të njohur siç është imuniteti i turmës, sipas së cilës sugjerohet që virusi të prekë popullatën në mënyrë të pakontrolluar në mënyrë që të krijojë imunitet të shpejtë. Disa nga këshilltarët e presidentit Trump të fushës së mjeksisë rekomandojnë këtë qasje.

“Edhe nëse e gjithë popullsia do të zhvillonte imunitet natyror, miliona e miliona vdekje do të ishin rezultat i kësaj strategjie dhe ky imunitet do të zbehej për shumë njerëz me kalimin e kohës”, thotë zoti tha Pavia. “Në këtë mënyrë virusi mund të rikthehet”.

Ai tha gjithashtu se “edhe një vaksinë mjaft e efektshme ndaj koronavirusit duhet të bëhet çdo vit”.

Por zoti Pandori është më optimist. Ai vëren se vaksinat funksionojnë ndryshe nga infeksioni i marrë në mënyrë të natyrale.

“Ndërsa lajmi i keq mund të jetë që sistemi ynë mashtrohet nga kjo gjë, ne kemi ende arsye të mira për të besuar se vaksina do të fitojë”, tha ai.

Ndërkohë thotë zoti Pandori njerëzit që janë shëruar nga COVID-19 duhet të tregohen të kujdesshëm. Edhe nëse infektohen sërish dhe nuk kanë asnjë simptomë, është e paqartë nëse ata mund ta përhapin virusin tek të tjerët.

“Nuk jemi domosdoshmërisht të paprekshëm”, tha ai. “Ne duhet të mbrojmë veten, por edhe ata që na rrethojnë. Duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë e të veprojmë sikur të mos e kemi pasur kurrë”.

 

Fraksion.com