AktualitetTë fundit

Gazsjellësi TAP; Ambasadorja Yuri Kim: Hap i rëndësishëm strategjik për Shqipërinë

Pas gati katër vjet e gjysmë që nga fillimi i ndërtimit, Gazsjellësi Transadriatik ka përfunduar në pjesën më të madhe.

Lidhur me këtë reagoi edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Tiranë, Yuri Kim, e cila deklaroi se TAP e bën Shqipërinë pjesë integrale të arkitekturës së larmishme rajonale të energjisë.

Ambasadorja Kim shprehet se kjo është strategjikisht e rëndësishme.

“Kjo është strategjikisht e rëndësishme. TAP do të transportojë gaz natyror nga Deti Kaspik në Europë përmes Greqisë dhe Shqipërisë, duke e bërë Shqipërinë një pjesë integrale të arkitekturës së larmishme rajonale të energjisë. Diversifikimi i energjisë = zgjedhje = siguri = pavarësi”, deklaroi ambasadorja e SHBA-së.

Tubacioni i TAP-it është injektuar me gaz natyror nga kufiri greko-turk deri në terminalin pritës në Italinë e jugut. TAP-i është aktualisht duke përfunduar përgatitjet për të filluar fazën operacionale dhe për t’i ofruar kapacitetet tregut në përputhje me OST-të përkatëse.
Pika ndërlidhëse midis tubacionit të TAP-it dhe sistemit të transportit të gazit natyror të Snam Rete Gas në Puglia (Italy) pritet të përfundojë dhe të jetë gati për të transportuar gaz në mesin e nëntorit 2020.

TAP do të transportojë gaz natyror nga fusha gjigante e Shah Deniz II në sektorin azerbajxhanas të Detit Kaspik për në Europë. Gazsjellësi, i gjatë afërsisht 878 km, lidhet me Gazsjellësin Trans Anatolian (TANAP) pranë kufirit turko-grek në Kipoi, përshkon Greqinë, Shqipërinë dhe Detin Adriatik, përpara se të mbërrijë në brigjet e Italisë jugore.

Sasia e parë e gazit do të mbërrijë në Europë në vitin 2020.

Gjurma e TAP-it mund të lehtësojë furnizimin me gaz në një sërë vendesh të Europës Juglindore. Pika e hyrjes së TAP-it në tokë në Itali ofron mundësi të mëtejshme për transportin e gazit kaspik drejt disa prej tregjeve më të mëdha europiane.

TAP-i promovon zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të punës përgjatë gjurmës së gazsjellësit. Gjithashtu, ai është një burim madhor i investimeve të huaja direkte.

 

Fraksion.com