AktualitetBota+Të fundit

Trump-Biden, akuza ndaj njëri-tjetrit në shtetet përcaktuese për zgjedhjet

Tre javë para ditës së zgjedhjeve, një numër i vogël ai atyre që njihen si shtete fushëbetejë, pritet të përcaktojnë nëse ish-Nënpresidenti Joe Biden do të fitojë ndaj Presidentit Donald Trump i cili kërkon një mandat të dytë. Kjo ka bërë që në fillim kësaj jave kritike, fushatat rivale të përqendrohen në shtetet e Floridës, Ohajos dhe Pensilvanisë.

Klasa politike e korruptuar është e dëshpëruar për të rimarrë pushtetin me çdo mjet të nevojshëm“, tha Presidenti Trump të hënën në mbrëmje në Senford të Floridës. “Ne jemi ata që po i pengojmë“, shtoi ai.

Presidenti Trump akuzoi Joe Biden-in se ishte i varur nga “globalistët radikalë” dhe se u kishte dhënë “socialistëve, marksistëve dhe ekstremistëve të majtë”, kontrollin e Partisë Demokrate.

Ky ishte tubimi i parë elektoral i presidentit që nga shtrimi i tij në spital për COVID-19.

Të gjithë do të marrin të njëjtat ilaçe“, tha Presidenti Trump duke iu referuar trajtimit të tij që përfshinte një përzierje eksperimentale antitrupash, që konsiderohet e shtrenjtë dhe e vështirë për t’u prodhuar, si dhe një ilaç anti-viral i autorizuar aktualisht vetëm për përdorim në raste urgjente.

Ndihem shumë i fuqishëm. Dua të jem në mesin e kësaj audience”, tha Presidenti Trump, i cili deklaroi se tani gëzon imunitet ndaj virusit. “Do t’i puth të gjithë në audiencë, djemtë dhe gratë e bukura”, tha ai.

Pak vetë mbanin maska në mesin e mijëra pjesëmarrësve që kishin mbushur sheshin e një aeroporti për fjalimin gati një orë të Presidentit Trump.

Ndërsa avioni Air Force One fluturonte drejt Floridës, Shtëpia e Bardhë publikoi një dokument nga mjeku i presidentit, Sean Conley, ku deklarohej se zoti Trump kishte rezultuar negativ ndaj koronavirusit për dy ditë rresht, por pa specifikuar se cilat ditë.

Vlerësimi i ekipit mjekësor është “se presidenti nuk është infektues për të tjerët”, tha mjeku Conley, i cili shoqëroi Presidentin Trump në Florida të hënën.

Ndërkohë po të hënën Nënpresidenti Mike Pence bëri fushatë në Ohajo.

Fjalimi i zotit Pence, në një kompani ndërtimi në Kolombus, u ndërpre disa herë në minutat e para nga disa protestues. Një person filloi t’i bënte pyetje me zë të lartë nënpresidentit, duke i thënë mes të tjerash: “si e quani veten të krishterë?!”, përpara se të kundërshtohej fuqishëm nga turma e të nxirrej jashtë.

Sipas një kompanie marketingu, protesta ishte organizuar nga një grup progresist i themeluar nga senatori amerikan Bernie Sanders.

Kandidati demokrat për President Joe Biden vizitoi gjithashtu Ohajon të hënën.

“Populli amerikan nuk i ka më sytë e mbyllur”, tha zoti Biden në një tubim me punëtorët e një sindikate të automobilëve në Toledo, ku boritë e rreth 30 makinave të tyre zëvendësuan duartrokitjet. “Ata po shohin tek përballemi me pandeminë, krizën ekonomike dhe pabarazinë racore dhe me atë që po ndodh në arenën ndërkombëtare. Ata janë gati të sjellin ndryshim. Ata e dinë që ne duhet të ndryshojmë”.

Më vonë, zoti Biden shkoi në Sinsinati, ku foli rreth 215,000 amerikanëve që kanë vdekur nga COVID-19 dhe për parashikimet se 200,000 të tjerë mund të vdesin deri në fund të janarit, “të gjitha për shkak se presidenti shqetësohet vetëm për një gjë, tregun e aksioneve, sepse ai refuzoi të zbatonte atë që thotë shkenca”, sic tha zoti Biden.

Të martën, zoti Biden do të vizitojë Floridën, ndërsa Presidenti Trump do të mbajë një tubim në Pensilvani.

Sipas sondazheve të fundit të organizatës Real Clear Politics, zoti Biden gëzon një epërsi të dukshme prej 7 për qind në Pensilvani, që konsiderohet si një nga shtetet më kritike nga të dyja fushatat. Në Florida, zoti Biden ka një epërsi më të vogël, 3.7 për qind ndaj presidentit.

“Ne do të fitojmë me më shumë diferencë sesa katër vjet më parë”, tha Presidenti Trump të hënën në mbrëmje në Florida, duke kundërshtuar sondazhet.

Sipas sondazheve të fundit, të dy kandidatët janë pothuajse në pozita të barabarta në Ohajo, një shtet që Presidenti Trump e fitoi me 8 për qind më shumë ndaj rivales demokrate Hillary Clinton në vitin 2016.

Katër vjet më parë, Presidenti Trump fitoi me një rezultat të ngushtë ndaj zonjës Clinton në Florida dhe Pensilvani.

Florida dhe Ohajo janë vendimtare për rizgjedhjen e Presidentit Trump ndërsa për zoti Biden, fitorja në Pensilvani është e rëndësishme, thotë Spencer Kimball, drejtor i organizatës së anketimeve Emerson College.

Asnjë republikan nuk fiton presidencën pa fituar në Ohajo dhe si po duket situata në Miçigan, Florida mund t’i japë Bidenit një fitore në vetvete“, i tha Zërit të Amerikës zoti Kimball. “Nëse Pensilvania voton përsëri për Trump-in, kjo do të ishte e vështirë për Biden-in pasi ky është shteti i tij i lindjes dhe ka të ngjarë të sugjerojë që ai do të dalë keq në zonën qendrore të vendit”.

Pavarësisht se cili kandidat merr më shumë vota në të gjithë vendin, çelësi i fitores për presidencën është sigurimi i një minimumi prej 270 votash elektorale. Janë gjithsej 538 vota elektorale që ndahen mes shteteve dhe kryeqytetit Uashington në përpjesëtim të drejtë me numrin e popullatës së tyre.

Florida, Ohajo dhe Pensilvania kanë një numër total prej 67 votash elektorale.

Kalifornia ka numrin më të madh të votave elektorale, 55 të tilla, një shtet ku sipas sondazheve, zoti Biden e ka të sigurtë fitoren.

Teksasi ka 38 vota elektorale dhe shumica e vëzhguesve politikë presin që Presidenti Trump të përsërisë fitoren e tij të vitit 2016 atje, edhe pse zoti Biden po i afrohet me gati 5 pikë diferencë sipas disa sondazhe të fundit./VOA

 

Fraksion.com