AktualitetRajoniTë fundit

Shekerinska: Me homologun nga Bullgaria ka tema rreth të cilave nuk pajtohemi

Ministrja e Mbrojtjes e Maqedonisë së Veriut, Radmilla Shekerinska deklaroi se paqja e qëndrueshme dhe siguria e qëndrueshme mund të sigurohen vetëm nëse grave u jepet shansi i barabartë që të marrin pjesë dhe kontribuojnë.

Shekerinska sot mori pjesë në panel diskutim në të cilin u promovua Plani i dytë aksional nacional për implementimin e Rezolutës 1325 të Kombeve të Bashkuara “Gratë, Paqja dhe Siguria”, e cila u mbajt në kazermën “Strasho Pinxhur” në Petrovec.

Ministrja në adresimin e saj theksoi se Armata e Maqedonisë së Veriut dhe mbrojtja do të jenë më të mira dhe më të fuqishme nëse në to barabartë janë të mirëseardhur edhe burrat edhe gratë.

“Kisha kënaqësi që sot arritëm ta shënojmë 20-vjetorin e Rezolutës që për herë të parë tha se paqja e qëndrueshme dhe siguria e qëndrueshme mund të sigurohen vetëm nëse grave u jepet shansi i barabartë për pjesëmarrje dhe të kontribuojnë. Nuk ekziston shtet demokratik që ka rezistencë, siguri dhe stabilitet e nuk ju ka dhënë shans grave”, tha Shekerinska.

Menjëherë pas përfundimit të panelit, Shekerinska u përgjigj në pyetjet e gazetarëve.

Pyetjes nëse ka komunikim me ministrin e Mbrojtjes të Bullgarisë, Krasimir Karakaçanov i cili theksoi se nuk është koha që të caktohet datë për mbajtjen e konferencës ndërqeveritare për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së veriut në BE, Shekerinska tha se mes tyre ka tema për të cilat nuk pajtohen.

“Ekzistojnë tema me kolegun tim Karakaçanov për të cilat ne nuk pajtohemi dhe ndoshta nuk do të pajtohemi. Por, ka një temë mbi të cilën ne paguhemi dhe jemi të zgjedhur për të punuar. E ajo është që ky rajon në të cilin jetojmë të jetë i qëndrueshëm dhe i sigurtë”, tha Shekerinska.

Në pyetjen nëse është optimiste për zgjidhjen e problemeve me Bullgarinë, Shekerinska shtoi:

“Mendoj se sot do të gabojmë nëse flasim për optimizëm kundrejt pesimizmit, se çfarë do të ndodhë në rajon, çfarë do të ndodhë me Evropën Juglindore varet nga njerëzit dhe politikanët në rajonin tonë. Nuk varet nga dikush që nga jashtë do të na sjellë zgjidhjet”.

Ministrja e Mbrojtjes po ashtu rikujtoi se pikërisht Bullgaria është shteti që e solli në rend dite temën e Ballkanit Perëndimor dhe zgjerimin drejt Bashkimit Evropian (BE)./aa

 

Fraksion.com