“PS do t’i fitojë zgjedhjet”; Rama: Misioni im ende larg të qenit i kryer, premtimet i bëj dhe i mbaj
Në konferencën për shtyp Kryeministri Rama theksoi se ne nuk punojmë për zgjedhje, por për njerëzit, e janë njerëzit që zgjedhin, duan të vazhdojnë me ne, apo të shkojnë të kërkojnë 6 të mira në 4 pika”.
“Ne po bëjmë gjënë e duhur në kohën e duhur, sepse tani i kemi mundësitë për këtë e të tjera. Kur kam bërë premtimet e mia kam folur për një vizion dhe për një program e për një rrugë të përbashkët. Gjykimet mbi çfarë kam thënë e çfarë kam bërë do ti bëni të gjithë kur misioni im të jetë i kryer dhe është larg së qeni i kryer”, – tha Rama.
Kryeministri Rama u shpreh se “nuk e di se ku punojnë disa që më shikojnë mua në terren ose më shikojnë në kantiere apo në shi dhe thonë dole tani se tani po vijnë zgjedhjet. Unë rrugëve kam që kur kam marrë detyrën të drejtoj PS dhe si kryeministër, nuk është ndonjë meritë, thjesht kam bërë detyrën, sipas meje, kam bërë më shumë kilometra në territorin e Shqipërisë se të gjithë kryeministrat së bashku që kur është krijuar shteti shqiptar në 1912, e këtë mund ta provoj me fakte”.
Sipas Ramës, zgjedhjet janë një proces i popullit, ku populli do të vendosë.
“Puna jonë është e përditshme, puna ime është e përnatshme. Si kanë lidhje zgjedhjet me këto vendime, tani janë krijuar kushtet tani do t’i bëjmë. Si do ta bënim ne heqjen e taksës për biznesin e vogël më parë, mbi çfarë baze? Heqja e akcizës u premtua në 2013 dhe mbahet sot, unë jam ai që e kam premtuar dhe ai që po e mbaj”, – tha Rama.
Kreu i qeverisë u shpreh se nuk bëj premtime për të gënjyer, për të hedhur lumin, për të marrë votat, i bëj se jam i bindur se i realizoj. Koha e realizimit të tyre nuk është gjithmonë në dorën e kryeministrit, qeverisë apo parlamentit se jeta është dinamike, situatat janë dinamike, rëndësi ka që çdo gjë që unë kam thënë e kam bërë, po e bëj dhe do ta bëj”.
Fraksion.com