“Shtegtar i veçantë”: Rama, Ylli i Madh i Mirënjohjes Publike për Nuncin Apostolik, Charles John Brown
Duke folur në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Rama u shpreh se, “Ati i Shenjtë e quajti vëllazëri fetare bashkëjetesën shoqërore mes besimtarëve shqiptarë në Krisht a Muhamet, Paqja e Zotit qoftë mbi të, gjatë vizitës së tij të paharrueshme në Shqipëri”.
“Enciklika e tij më e fundit përkon edhe me largimin prej Shqipërie të të dërguarit të tij Imzotit Charles, i cili qëndroi mes nesh dhe me ne si një vëlla, gjatë tre viteve që shërbeu me zotnillëk dhe përulësi si ambasador i Selisë së Shenjtë në këtë vend”, tha Rama.
Rama u shpreh se, “në sytë e mi Imzot Charles do të mbetet një shtegtar i veçantë mes tufës së ambasadorëve, i cili vëllazërinë dhe miqësinë sociale i shpalosi me një natyrshmëri që sivëllezërve apo simotrave të tij në artin e diplomacisë jo gjithmonë u vjen dorësh”.
“Jemi për shumëçka mirënjohës si krejt bota një shtegtari mahnitësh si Papa Francesku, por i jemi mirënjohës edhe që na dha mundësi ne këtu në Shqipëri të kishim përfaqësues të tijin dikë si Imzot Charles George Brown, i cili edhe pse shtegtimin e ka vokacion, përveç se detyrë, nuk e fsheh dot unë të paktën, që më vjen mirë kur e shoh të mallëngjyer që duhet ta lërë Shqipërinë. Imzot ju nuk jeni as i pari dhe as i fundit që e ka të vështirë ndarjen me këtë vend. Dhe besomëni, kam parë pak që si ju kanë ardhur me dëshirë në Shqipëri, por ende nuk e kam parë akoma atë që të ketë ikur me qejf prej Shqipërie, pasi e ka njohur këtë vend dhe këtë popull siç janë në të vërtetë dhe jo siç duken pas perçes së zymtë të paragjykimeve prej së largu”, theksoi Rama.
“I dashur Imzot unë ju kërkoj ndjesë sepse fjalët e mia nuk arrijnë dot sot shprehjen e përputhur me ndjenjën e fortë të mirënjohjes të miqësisë dhe të admirimit për ju”, tha Rama.
“Unë sot modestisht dëshiroj t’ju jap me vete një shenjë nga Shqipëria. Kjo është Medalja për Mirënjohjen Publike me gradën e Yllit të Madh. Sikundër Zoti i Jakobit është Zoti i të gjallëve dhe jo i të vdekurve, ashtu dhe nderimet me tituj dhe medalje janë bërë për të gjallët, jo për të vdekurit. Sepse të dallosh të gjallin nga të gjallët është mirë për të gjithë. Ndërsa të shquash të rënët nga të rënët nuk është punë që bëhet. Ndaj titujt dhe medaljet jepen rrallë se ndryshe ç’kuptim ka dallimi që ato bëjnë. Dhe kjo medalje posaçërisht jepet shumë rrallë. Jepet rrallë sepse për ta merituar duhet ta kesh luftuar betejën e denjë, të kesh rendur për t’u shërbyer të tjerëve, të kesh ruajtur besën. Dhe të vazhdosh të jetosh me zemrën plot për t’ia rifilluar nga e para sado e mundimshme të jetë”.
Fraksion.com