Italia ul periudhën e karantinës për COVID-19 nga 14 në 10 ditë
Italia ka ndryshuar rregullat e karantinës për të prekurit nga koronavirusi i ri (COVID-19), duke e ulur periudhën kohore të karantinës nga 14 në 10 ditë për personat që rezultojnë pozitiv ndaj virusit dhe për ata që kanë pasur kontakt me një pacient me koronavirus.
Ndryshimi pasqyron uljet e ngjashme të miratuara nga vendet e tjera evropiane dhe u përgjigjet thirrjeve të personave që u detyruan të karantinohen, të cilët e kishin shumë të vështirë të qëndrojnë të izoluar për dy javë.
Komiteti shkencor vendosi se vetëm me një tampon test negativ do të dalin nga karantina personat e prekur nga COVID-19, në vend të dy tampon testeve negative ndaj virusit që deri më tani ishin të nevojshme për të dalë nga karantina.
Komiteti u thirr urgjentisht nga qeveria, pasi Italia po regjistron një rritje shqetësuese të numrit të infeksioneve të reja, duke kaluar 5 mijë raste në ditë gjatë javës së kaluar.
Pavarësisht se është akoma larg valës së dytë tashmë të dëshmuar nga disa vende të tjera, si Spanja, Franca dhe Britania e Madhe, trendi i rritjes së infeksioneve në Itali ka detyruar qeverinë të marrë në konsideratë kufizime më të rrepta.
Kabineti pritet të mblidhet këtë mbrëmje për të aprovuar një dekret të ri, përfshirë orët e ndalimit për klubet e natës, kufizime për t’u shoqëruar jashtë lokaleve dhe kufizimet në ahengjet private dhe në tubimet shoqërore.
Ministri italian i Shëndetësisë, Roberto Speranza tha se vendi duhet të shtojë kufizimet nëse dëshiron të shmang një bllokim të ri kombëtar.
“Tani na nevojitet një ndryshim i ritmit dhe të ndërhyjmë me masa që do të na mundësojnë të kontrollojmë ngjitjen dhe të shmangim masat më të ashpra më vonë”, tha Speranza dje në një intervistë televizive.
Italia të premten, të shtunën dhe të dielën regjistroi mbi 5 mijë raste të reja të koronavirusit. Numri i pacientëve të shtruar në njësitë e kujdesit intensiv po ashtu po rritet lehtë.
Fraksion.com