AktualitetPolitikëTë fundit

Denoncimi i Fiks fare: Si u mbushën kutitë në zgjedhjet e PD-së. Pa kartë anëtarësie, gazetari voton disa herë

Demokratët e Tiranës votuan këtë të shtunë për të konfirmuar apo eleminuar kandidatët për deputetë në Qarkun e Tiranës. Procesi i votimit u krye në 16 degë në Bashkinë Tiranë e njëkohësisht në Vorë, Kamëz, Kavajë, Paskuqan.

Por kamera e fshehtë e emisionit investigativ “Fiks fare” provon se në këtë proces ka patur mjaft parregullsi. Është votuar pa kartë anëtarësie të Partisë demokratike, pa qenë banor i lagjes, madje edhe në zonën e krydemokratit Basha, madje gazetarët e Fiks fare kanë votuar më shumë se një herë në qendra të ndryshme votimi.

Të shtunën 140 kandidatë garuan për të qenë pjesë e listës me 35 emra që Partia Demokratike do të paraqesë për zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021.
Sipas statutit të PD-së, 80 % e kandidatëve për deputetë do zgjidhen nga anëtarësia dhe 20% nga kryesia. Ky statut përcakton qartë edhe rregullat në procesin e votimit nga anëtarësia e PD-së, ku kanë të drejtë vote vetëm anëtarët e partisë.

Gjë të cilën Fiks Fare e demostroi me pamje se komisionerë të disa degëve të ndryshme nuk e zbatuan këtë rregull. Ata lejuan të votojnë edhe qytetarë që nuk ishin anëtarë të PD-së.

Sipas rregullores, anëtari i PD duhet të paraqesë para komisionit (përbëhet nga disa anëtarë dhe një kryetar) kartën e anëtarësimit në parti, si dhe duhet të ketë emrin në listën e qendrës së votimit. Në Fiks Fare u pa mbrëmjen e të hënës se përveç se gazetari nuk ishte anëtar i PD-së, nuk kishte kartë anëtarësimi,banimi i tij nuk përkonte me qendrën e votimit, gazetari i Fiksit votoi më shumë se një herë në dy degë të ndryshme. I vetmi dokument që iu desh ishte karta e identitetit.

Gazetari i Fiks fare prezantohet si student të cilin e kishin orientuar të rinjtë e FRPD që të votonte në qendrën e votimit te Shkolla e Baletit, por ai nuk ishte banor i asaj zone. Anëtarët e komisionit nuk i kërkuan gazetarit kartë anëtarësie dhe e lanë të votonte duke i mbajtur vetëm emrin shënim.
E njëjta gjë ndodh edhe ne qendrën ku votoi kryetari i PD-së, zoti Lulëzim Basha.Gazetarja e Fiksit menjherë pasi Basha del nga qendra e votimit, futet dhe u thotë anëtarëve të komisionit se nuk ka kartë anëtarësimi dhe se i përket lagjes nr 1. Anëtarët e verifikojnë që ajo nuk e ka emrin në listat emërore, por nuk e pengojnë për të votuar.

E njëjta skenë përsëritet edhe në qendrën e votimit tek zona e njohur si Xhamllëku në kryqytet

Gazetarja e Fiks fare e cila kishte votuar pak minuta më parë ne qendrën e votimit të Bashës, paraqitet para komisionit vetëm me ID-në.Anëtarët e komisionit i japin fletën e votimit pa kryer asnjë verifikim dhe pasi gazetarja hedh fletën e votimit në kuti, i mbajnë shënim atësinë dhe nr e telefonit
Edhe pse në rregullore përcaktohet qartë se votojnë vetëm anëtarët qe kanë kartën e anëtarësimit të Pd-së dhe kanë të drejtën vetëm të një vote, Fiksi provoi me figurë dhe zë se këto rregulla nuk u zbatuan në këto zgjedhje./TCH

 

Fraksion.com