AktualitetOp-EdTë fundit

A është i pashmangshëm izolimi i dytë?

Nuk është habi që shumë vende evropiane po përballen përsëri me rritje të rasteve të koronavirusit – kjo është pikërisht ajo që kishin parashikuar studiuesit. Modelimi në Mars nga Mark Woolhouse në Universitetin e Edinburgut, Mbretëria e Bashkuar, sugjeronte që një bllokim dy-mujor në Mbretërinë e Bashkuar do të çonte në ulje të rasteve dhe një rritje të vogël gjatë verës, para se të kërkoheshin masa të reja në fund të shtatorit. Gjë që përafërsisht ka ndodhur. Modele të tjera parashikonin zhvillime të ngjashme. “Unë nuk po pretendoj të jem parashikues, por është një skenar që ishte i parashikueshëm”, thotë Woolhouse.

Shpejtësia dhe madhësia e valës në Evropë ka qenë një surprizë. “Çdo epidemiolog i sëmundjeve infektive ka pritur një rritje të madhe, por ka qenë më e madhe dhe më e shpejtë, sesa do të kishte pritur shumica prej nesh “, thotë Paul Hunter në Universitetin e East Anglia. Ndërsa ne nuk e dimë sa e madhe do të jetë epidemia këtë herë në Mbretërinë e Bashkuar, ai thotë se ndoshta do ta bëjë situatën e marsit dhe prillit që të ngjajnë si diçka e vogël. Vdekjet mund të jenë më të ulëta këtë herë, shton Hunter, për shkak të një përqindje më të lartë të të rinjve që preken dhe trajtimeve më të mira.

Pyetja kryesore tani është nëse izolimet janë të pashmangshme dhe, nëse po, a do të ndryshojnë ato nga hera e parë? Izraeli është i vetmi vend me të ardhura të larta që ka filluar një izolim të dytë të plotë kombëtar. Filloi në 18 Shtator, me një shtrëngim të mëtejshëm të kufizimeve një javë më vonë. Eshtë shumë shpejt për të ditur ndikimin e këtij izolimi.

Disa vende, përfshirë Australinë dhe Mbretërinë e Bashkuar, kanë vendosur për bllokime lokale kur rriten rastet. Më 22 shtator, Anglia njoftoi masa modeste rreth orëve të mbylljes së pubeve dhe numrit të njerëzve në dasma, diçka kjo shumë larg një izolimi total. Kryeministri britanik Boris Johnson e bëri të qartë se ai nuk dëshironte një bllokim të plotë, por nuk e përjashtoi një të tillë. Ashpërsia e një bllokimi të dytë mund të varet nga sa mirë vendet e menaxhuan izolimin e parë.

“A është izolimi i pashmangshëm? Eshtë i pashmangshëm nëse nuk keni vepruar si duhet herën e parë”, thotë ai. “Vendet që e kanë situatën nën kontroll që nga fillimi – Zelanda e Re, Singapori, Koreja e Jugut – jo vetëm që janë kthyer në normalitet shumë më mirë, por edhe kur kanë pasur një tjetër shpërthim, e kanë kontrolluar atë”.

Rastet e reja po rriten shumë më shpejt në Mbretërinë e Bashkuar, Francë dhe Spanjë sesa në Itali dhe Gjermani. Ekspertët mendojnë se ritmet e ndryshme janë për shkak të ndryshimeve në testimin dhe gjurmimin, demografinë, mesazhet e shëndetit publik, por gjithashtu, më e rëndësishmja, sjelljen publike dhe pajtueshmërinë me kufizimet që mbetën në fuqi, pas izolimit. Në Angli, studiuesit kanë zbuluar se respektimi i udhëzimit për vetë-izolim ishte “i dobët”, me vetëm një të pestën e njerëzve me simptoma që u vetë-izoluan plotësisht. Studime të tjera kanë zbuluar sjellje të ngjashme.

Masat e fundit të shpallura nga Johnson, të cilat përfshijnë gjithashtu inkurajimin e njerëzve për të punuar nga shtëpia nëse munden, shihen nga shumë studiues si shumë pak, shumë vonë dhe nuk ka gjasa të bëjnë shumë për të parandaluar që rastet në Angli të dyfishohen çdo javë. Për shembull, mbyllja e lokaleve në orën 22:00 është një ndryshim kaq modest, sa është e pamundur të modelohet, thotë Woolhouse. “Ne po i afrohemi kufizimeve më të rrepta”, thotë Griffin.

Kufizime të tilla mund të jenë më të shënjestruara, sesa izolimet e rrepta të marsit, prillit dhe majit. “Nuk mund të presim që një bllokim i dytë të jetë identik me të parin, që do të thotë se nuk kemi mësuar asgjë”, thotë Woolhouse. Eshtë e pamundur që kombet të kthehen në udhëzimet që të gjithë të qëndrojnë në shtëpi, përveç se kur bëjnë blerje thelbësore dhe ushtrime të kufizuara jashtë shtëpisë.

Ndalimi i grumbullimeve të panevojshme në mjedise të brendshme dhe përzierja me familje të tjera – gjëra që Skocia tashmë i ka bërë – janë hapa të ndjeshëm, thotë Griffin. Hunter pret që industria e hotelerisë në Mbretërinë e Bashkuar të mbyllet përsëri.

Shkencëtarët kanë mësuar se virusi transmetohet dobët jashtë dhe se, megjithëse fëmijët e transmetojnë virusin, ata nuk po e prijnë epideminë, shton Hunter. “Implikimi i qartë i kësaj është që ne, nuk duhet të jemi shumë kufizues në aktivitetet në natyrë. Dhe nuk kemi nevojë të mbyllim shkollat”.

Ndërsa disa epidemiologë mendojnë se strategjia e qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar është që të vazhdojë shtypjen e virusit derisa të kemi në dispozicion një vaksinë, të tjerët vënë në dyshim se sa i qëndrueshëm është ky objektiv. Woolhouse thotë se, sapo të relaksohet grupi tjetër i kufizimeve, një valë e tretë është një skenar i besueshëm.

Në javët e fundit, ka pasur diskutime nëse është koha për të kërkuar alternativa për të shtypur epidemitë e vendeve të ndryshme. Si mund të jenë këto strategji? Njëra është mbrojtja më e mirë për ata që e dimë se janë më të prekshëm nga sëmundja: personat mbi 65 vjeç dhe ata me sëmundje ekzistuese. Vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar kanë filluar testime të rregullta për punonjësit e azileve, për të mbrojtur banorët. Por një skemë ekuivalente e testimit për kujdestarët, bashkëshortët dhe të tjerët në kontakt të ngushtë me njerëz të dobët në komunitet ende nuk është vendosur. Kryerja e miliona testeve në ditë, siç ka propozuar Mbretëria e Bashkuar, mund të jetë një mundësi tjetër. Por kjo nuk ekziston ende.

Në planin afatshkurtër, thotë Woolhouse: “Gjithçka që na mbetet është rritja e distancimit social, izolimi i pjesshëm”. Por gjithë sa kjo strategji do të bëjë në planin afatmesëm është shtyrja e problemit, beson ai.

Një hap që qeveritë mund të ndërmarrin janë mesazhet dhe ndërhyrjet që janë më të përshtatura për individët, thotë Hunter. “Eshtë e besueshme që mund të kemi diçka të tillë, si ndërhyrjet e personalizuara të shëndetit publik”, thotë ai. “Nëse jeni femër, e bardhë, e aftë, 64 vjeç pa ndonjë sëmundje para-ekzistuese, atëherë ndoshta nuk jeni në grupin e prekshëm. Nëse jeni një profesor mashkull mbipeshë, i bardhë, sigurisht që jeni më të rrezikuar. Nëse jeni me një prejardhje [me ngjyrë, aziatike dhe pakicë etnike] dhe keni diabet, ju jeni edhe më të rrezikuar. Duhet të ketë një mënyrë për të qenë pak më të fokusuar”./ New Scientist., Bota.al

 

Fraksion.com