AktualitetPolitikëTë fundit

Basha: Do t’i japim fund barnave me origjinë të panjohur

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulëzim Basha zhvilloi një takim me përfaqësues të “Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë”.
Basha është shprehur se “monopolizimi i tregut të barnave nga disa kompani farmaceutike afër qeverisë, ka çuar në dëmtim të konkurrencës së ndershme dhe cilësisë së shërbimit”.
Sipas tij, “janë larguar kompani të njohura, në treg nuk gjenden shumë barna të patentës, por ato janë zëvendësuar me barna të një cilësie të dyshimtë”.
“Ndamë shqetësimin për tendencën për kapjen e shërbimit farmaceutik, duke bërë që farmacisti të jetë i punësuar i distributorit. Në këtë mënyrë, në qendër do të jenë interesat e biznesit dhe jo qytetarët, pasi farmacisti nuk do të ketë asnjë fuqi të refuzojë barnat jo cilësore dhe që shkojnë në dëm të pacientëve. Në një situatë ku mbizotëron korrupsioni i përhapur kudo, qytetari mbetet viktimë e interesave të biznesit të distributorit, çka do të thotë që barna të lira dhe me origjinë të dyshimtë shiten me çmime të larta dhe pa efekt në trajtimin e sëmundjeve”- tha Basha.
Ai ka theksuar se “do të marrin fund monopolet dhe në treg do të ketë barna cilësore, të sigurta dhe efikase, shërbim farmaceutik cilësor dhe të aksesueshëm nga të gjithë. Qeveria do të ndihmojë shtresat në nevojë dhe pensionistët, që të mund të marrin ilaçet e nevojshme përmes rimbursimit, i cili nuk do të jetë në bazë të interesave të klientëve distributor, por të jetës dhe shëndetit të qytetarëve. Urdhri i Farmacistëve do jetë partner i qeverisë në hartimin dhe miratimin e ligjit të ri të barnave dhe shërbimit farmaceutik, në bazë të eksperiencave më të mira të vendeve të zhvilluara”.
Fraksion.com