“Janë përgjysmuar shifrat e kriminalitetit”; Lleshaj: OFL, qindra dosje në gjykatë
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj deklaroi sot se, “janë përgjysmuar shifrat e kriminalitetit, krahasuar me disa vite më parë”.
Në një intervistë televizive, Lleshaj tha se, “krimi është një fenomen social, kalon në shumë barriera të shoqërisë, por ne merremi me barrierën e fundit që është Policia e Shtetit”.
Ai tha se, “Policia e Shtetit është pjesë aktive e operacioneve të mëdha ndërkombëtare. “Los Blancos” është një nga këto operacione”. Kjo sipas tij, “është provë e pjekurisë së Policisë së Shtetit”.
Lleshaj u shpreh se, “kemi ndërtuar kapacitete policore, që kanë vetëm një qëllim, të kërkojnë paratë e krimit. Futja e një krimineli në burg do ishte çereku i punës, interesi publik është kthimi i këtyre pasurive në të mira për shoqërinë. OFL këtë synon, janë qindra dosje në gjykatë”.
Sa i përket çështjes së listave të zgjedhësve dhe padinë e PD ndaj tij, Lleshaj tha se, “kjo mënyrë sjellje, kjo mënyrë e thënies gjithmonë fjalës së fundit ka bërë që disa gjëra të humbasin kuptimin autentik. Në Shqipëri fjalët mashtrues, hajdut janë përdorur aq shumë sa kanë pësuar inflacion. S’e kam lexuar. E para se s’kam kohë e dyta s’e njoh veten. Di që asgjë nga ato që thuhet nuk është e re.”
“Nuk flasin më sepse kanë bërë bllof dhe mund të bëjë padi për kallëzim të rremë ndaj PD”, tha Lleshaj
Lleshaj tha se, “nuk ka ndodhur asgjë dhe nuk do të ndodhë asgjë për listat e zgjedhësve”.
“Gjendja Civile bën një detyrë. Në Shqipëri pas 90-ës kemi humbur referencat kryesore të një shteti dhe kemi humbur dhe adresat. U bëmë një shtet pa adresë”.
Lleshaj tregoi një rast ku një certifikatë e gjendjes civile e vitit 2017 tregon vendbanimin vetëm Tiranë, ndërkohë një certifikatë e gjendjes civile e vitit 2020 tregon adresën e plotë.
“Ky është një proces sipas të cilit çdo qytetar vetë mund të hyjë në e-Albania ta shohë dhe të shkojë ta ndryshojë në Gjendjen Civile”, tha Lleshaj.
“Adresa me qendrën e votimit kanë zero lidhje. Ne kemi dy adresa, një adresë vendbanimi dhe një adresë zgjedhore që është në regjistër rubrikë më vete”, u shpreh Lleshaj.
Lleshaj tregoi rastin e një qytetari që ka denoncuar ndryshimin e adresës në media, por që në fakt nuk i kishte ndryshuar numri i qendrës së votimit.
“Qendra e votimit nuk ndryshohet, me përjashtim nëse shkon vetë qytetari dhe paraqit dokumentet përkatëse deri 40 ditë para zgjedhjeve”, tha Lleshaj.
Fraksion.com