Harris: Qeveria e Trumpit e ka humbur të drejtën për rizgjedhje
Ishte dueli i vetëm mes kandidatëve për zëvendëspresident, Kamala Harris dhe Mike Pence. Katër javë para zgjedhjeve presidenciale ata u grindën, por me mirësjellje, për pandeminë, ekonominë dhe klimën.
Të ndarë nga dy xhama peciklas dhe më nje distancë prej 3,7 metrash zëvendëspresidenti aktual amerikan, Mike Pence dhe kandidat për zëvendëspresident në zgjedhjet e ardhshme dhe kandidatja demokrate për zëvendëspresidente, Kamala Harris zhvilluan një debat me replika.
Pandemia e Coronës dominoi afër një gjysmë ore debatin 90 minutësh pak ditë pas lajmit për infektimin e presidentit Donald Trump me Corona. Senatorja Harris e kritkoi ashpër mënyrën e veprimit të presidentit me pandeminë. “Ky është dështimi më i madh i qeverisë së SHBA në historinë e këtij vendi.” Ajo theksoi numrin e lartë të të vdekurve, më shumë se 210.000 vetë, më i madhi në të gjithë botën. 55 vjeçarja është zëvendëskandidatja e zgjedhur nga kandidati i demokratëve për president, Joe Biden në zgjedhjet presidenciale më 3 nëntor.
Pence, i cili drejton “Task Force” për Coronën në Shtëpinë e Bardhë e mbrojti menaxhimin e krizës. Trump ka vënë që “në ditën e parë” shëndetin e qytetarëve amerikanë në radhë të parë, tha Pence. Pa masat e marra nga qeveria numri i të vdekurve do të ishte shumë më i lartë. 61 vjeçari e akuzoi Harris se po “groposin” besimin e qytetarëve në një vaksinë të ardhshme kundër Coronës.
Biden do të shfuqizojë reformën tatimore
Tema të tjera të debatit ishin edhe rimëkëmbja e ekonomisë, papunësia e lartë, rritjet e tatimeve dhe marrëdhëniet e SHBA me Kinën. Biden në rast fitoreje do të heqë reformën tatimore të Trumpit, tha kandidatja Harris. Nga ana tjetër ajo siguroi, se Joe Biden nuk do të ngrejë asnjë tatim për ata që fitojnë më pak se 400.000 dollarë në vit. Pence u kundërpërgjigj. “Joe Biden do të ngrejë tatimet që nga dita e parë. Harris e akuzoi qeverinë e Trumpit, se e mat suksesin e qeverisë se sa mirë i kanë punët të pasurit në Amerikë, në një kohë që Biden do të tregojë kujdes për gjendjen e punëtorëve amerikanë. Pence u kundërpërgjigj se me uljen e tatimeve, Trump bëri që ekonomia amerikane të rritet. Në temën e mbrojtjes së klimës, Pence nuk iu përgjigj hapur pyetjes, nëse ngrohjen globale e sheh si kërcënim. “Klima ndryshon, ne do të ndjekim shkencën”, tha ai. Kurse Harris e vlerësoi krizën e klimës si “kërcënim ekzistencial për ne njerëzit”.
Dueli i vetëm televiziv mes dy kandidatëve për zëvendëspresident u prit me interes, edhe për shkak se debati i parë televiziv mes Trumpit dhe Biden ishte kaotik dhe plot sulme. Ende nuk dihet, nëse do të zhvillohet një debat tjetër për shkak të infektimit të Trumpit. Sondazhet deri më tani nxjerrin fitues Joe Biden.
Fraksion.com