Falen të gjitha gjobat e vendosura gjatë 7 muajve të pandemisë; Kthehen makinat dhe patentat e blllokuara
Të gjithë qytetarët që janë ndëshkuar për shkak se kanë shkelur masat antiCOVID përgjatë 7 muajve, përfshirë edhe pjesën e karantinës, janë falur.
Këshilli i Ministrave me Aktin Normativ të miratuar në mbledhjen e djeshme, ka vendosur që të falen gjobat, të kthehen makinat dhe patentat e bllokuara. Gjithashtu, falen edhe gjobat e vendosura ndaj familjeve të prekura nga 2 tërmetet, të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit) për shkeljet gjatë kryerjes së punimeve. Bëhet fjalë për gjobat e vendosura nga 17 prilli deri në 7 tetor 2020.
Institucionet përkatëse duhet të përgatisin para datës 30 tetor listën e personave që janë ndëshkuar dhe do duhet t’u kalojnë paratë në llogaritë përkatëse jo më larg se data 15 nëntor.
“Falen të gjitha masat administrative me karakter ndëshkues, të vendosura nga autoritetet shtetërore përkatëse për shkeljen e rregullave apo të akteve ligjore e nënligjore të nxjerra në kuadër të masave të ndërmarra për parandalimin dhe luftimin e infeksionit të shkaktuar nga COVID-19, nga data 17.4.2020 deri në datën 7.10.2020. Falen të gjitha masat administrative të vendosura nga strukturat e njësive të vetëqeverisjes vendore ndaj familjeve të dëmtuara nga fatkeqësitë natyrore, tërmetet e datave 21 shtator dhe 26 nëntor 2019, për shkeljet e konstatuara gjatë kryerjes së punimeve për riparimin/rindërtimin e banesave individuale”, thuhet në vendimin e Qeverisë.
Fraksion.com