“Deri më 25 prill çelësat i ka ky”; Basha takon të papunët në Laç
Kryedemokrati Lulzim Basha është takuar me qytetarë dhe biznese në Laç duke dëgjuar problematikat e tyre dhe shprehur propozimet që opozita i ka bërë qeverisë për t’i ndihmuar deri më 25 prill.
Basha ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po gremis ekonominë e vendit dhe se ka futur në xhepat e tij paratë e shtetit. Ai tha se opozita ka vetëm fjalën por se do ta kenë gjithmonë në krahë.
“Ky po e shtyn ekonominë në greminë. Paratë e shtetit i ka futur në xhepat e vet dhe të oligarkëve.
Pas 25 prillit kemi zgjidhje të tjera, deri më 25 prill çelësat i ka ky. Ne kemi vetëm fjalën, por dhe ju duhet të ngrini zërin dhe të jeni të sigurt që dhe PD dhe opozitën do e keni në krahë. Është kriminale që ju vuani për bukën e gojës.
Sot kemi fjalën, zërin për ta ngritur se nesër do kemi shumë gjëra.
Ne për pensionistët kemi propozuar 20 mijë lekë shtesë këto 6 muaj”, tha Basha.
Sipas PD, veçanërisht i rëndë është konstatimi i qytetarëve se shumë banesa në gjendje shumë të mirë po shemben pa asnjë paralajmërim nga shteti.
“Kjo aferë korruptive – tha Z. Basha – bëhet për t’i dhënë këto troje për ndërtime shumëkatëshe për sponsorët e regjimit”.
Duke iu referuar statistikave të të papunëve, Z. Basha paralajmëroi pushtetin se 40% e shqiptarëve pritet t’i shtohen listës së të papunëve, nëse shteti nuk zbaton urgjentisht planin e rimëkëmbjes me 5 pika të Partisë Demokratike.
Kryetari Basha sqaroi qytetarët dhe sipërmarrësit e vegjël se 5 pikat e Planit të Rimëkëmbjes synojnë pikërisht rikthimin në punë të bizneseve dhe rimarrjen në punë të qytetarëve që kanë humbur vendin e punës gjatë pandemisë:
– Çeku prej 1,000 euro për biznesin e vogël për të lehtësuar barrën e pagesave dhe shpenzimeve të papërballueshme për 6 muajt e ardhshëm;
– Pagesa mujore prej 160 mijë lekësh të vjetra për ata që kanë humbur vendin e punës, si minimum konsumi për 6 muajt e ardhshëm;
– Pagesa mujore prej 200 mijë lekësh për çdo punonjës që biznesi rikthen në punë gjatë 6 muajve të ardhshëm;
– Shtesa mujore prej 20 mijë lekësh për pensionistët për shpenzimet shëndetësore shtesë gjatë 6 muajve të ardhshëm;
Z. Basha u tha qytetarëve dhe sipërmarrësve në qytetin e Laçit se fondet për këtë plan 300 milion eurosh janë në buxhet dhe për fat të keq sot u jepen një grushti miqsh të regjimit të Edi Ramës.
“Prioriteti numër 1 sot – u shpreh Z. Basha – është të shpëtojmë buxhetin e familjeve nga falimentimi deri më 25 prill”. “Pas 25 prillit, rikthimin e ekonomisë në binarët e rritjes dhe zgjerimin e fuqizimin e klasës së mesme do ta bëjmë bashkë me programin ekonomik të qeverisë së Partisë Demokratike. Pjesë e këtij programi është edhe plani i mbështetjes për bujqësinë që është sektori që punëson më shumë shqiptarë”, deklaroi Z. Basha.
Fraksion.com