AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump ndal negociatat për asistencën ekonomike

Negociatat për një raund të ri lehtësimi financiar duket se u ndërprenë të martën kur Presidenti Donald Trump tha se propozimet e demokratëve janë të papranueshme dhe se kishte udhëzuar zyrtarët e administratës të ndalnin bisedimet deri pas zgjedhjeve që mbahen muajin e ardhshëm.

Deklaratat e Presidentit Trump u bënë nëpërmjet një seri mesazhesh në Twitter, përfshirë një të mëvonshëm ku propozonte miratimin e një grupi prej disa projektligjesh të veçanta, në vend të një ligji të vetëm masash, siç u veprua disa herë gjatë këtij viti.

“Nëse më dërgojnë një ligj të veçantë për pagesat stimuluese (prej 1,200 dollarësh), ato do të shkojnë tek populli ynë i mrekullueshëm MENJËHERË. Jam gati ta nënshkruaj që tani. A po dëgjon Nancy?”, shkruajti Presidenti Trump.

Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka shprehur preferencën për t’i bashkuar përpjekjet për asistencën ndaj koronavirusit, se sa për t’i menaxhuar nëpërmjet ligjeve të veçanta.

Presidenti Trump gjithashtu tha se do të jepte miratimin me shpejtësi për projektligjet që do të ofronin miliarda dollarë për kompanitë ajrore dhe bizneset e vogla.

Gjatë javëve të fundit, zonja Pelosi është takuar me Sekretarin e Thesarit Steven Mnuchin dhe zyrtarë të tjerë të administratës, ndërsa dy palët u përpoqën të gjejnë baza të përbashkëta për projektligjet e tyre buxhetore.

Krahas dallimeve për komponentët individualë, palët mbeten larg njëra-tjetrës për faturën e përgjithshme; zyrtarët e administratës thonë se mund të shkojnë deri në 1.6 trilion dollarë dhe demokratët thonë se janë të gatshëm ta ulin deri në 2.2 trilionë dollarë propozimin e tyre fillestar.

Një plan kompromisi, megjithëse me shifra të ulura, do të përballej me pasiguri në Senat, ku një numër republikanësh kanë shprehur kundërshti ndaj një pakete të këtyre përmasave.

Zonja Pelosi qarkulloi një deklaratë ku kritikohej ashpër njoftimi i Presidentit Trump se po ndalte bisedimet dhe i kërkoi kreut të maxhorancës në Senat, Mitch McConnell, të fokusohej tek konfirmimi i kandidates për anëtare të Gjykatës së Lartë.

“Largimi nga bisedimet për koronavirusin demonstron se Presidenti Trump nuk dëshiron të mposhtë virusin, siç kërkohet nga Ligji për Heronjtë”, tha zonja Pelosi. “Ai tregon denigrimin për shkencën, përbuzjen për heronjtë tanë – në shëndetësi, (për) punonjësit e shërbimeve të emergjencave, të higjenës, transportit, punonjësit e ushqimit, mësuesit etj – dhe ai refuzon të dërgojë para në xhepat e punonjësve, nëse nuk është printuar emri i tij mbi çekun”.

Në mesazhet e tij në Twitter, Presidenti Trump akuzoi demokratët se “luajnë lojëra” me pagesat e stimulit financiar për individët.

“Donin vetëm të kujdeseshin për qytete dhe shtete demokrate të dështuara dhe me nivel të lartë krimi. Ata nuk ishin kurrë për të ndihmuar punëtorët dhe kurrë nuk do të jenë!”, tha ai.

Kandidati demokrat për president Joe Biden tha se është Presidenti Trump ai të cilit nuk i intereson të ndihmojë amerikanët, dhe e akuzoi presidentin se nuk po udhëheq gjatë pandemisë.

“Mos kini dyshim: nëse jeni pa punë, nëse biznesi juaj është mbyllur, nëse shkolla e fëmijës tuaj është mbyllur, nëse shikoni shkurtime nga puna në komunitetin tuaj, Donald Trump vendosi sot se asgjë prej këtyre – asgjë – nuk ka rëndësi për të”, tha zoti Biden në një deklaratë.

 

Fraksion.com