AktualitetBota+Të fundit

Pandemia në qendër të garës Trump-Biden

Kur kanë mbetur më pak se një muaj deri në ditën e zgjedhjeve, shumë amerikanë po votojnë herët, ose përmes postës, ndërsa shumë të tjerë pritet të shkojnë në qendrat e votimit më 3 nëntor. Ish nënpresidenti dhe kandidati demokrat për president, Joe Biden po zhvillon tubime zgjedhore në shtetin e Floridës, ndërsa Presidenti Donald Trump, i cili është ende duke u shëruar nga COVID-19, njoftoi se së shpejti do t’i kthehet fushatës.

Presidenti Donald Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë ku po vazhdon shërimin nga koronavirusi, ndërsa tha përmes Twitter-it se do të marrë pjesë në debatin e radhës me rivalin demokrat, Joe Biden në Majami më 15 tetor.

Në një video tjetër të publikuar po në Twitter, zoti Trump foli për sëmundjen që e detyroi të shtrohet në spital.

Mos e lejoni koronavirusin t’ju mbizotërojë. Mos e lejoni t’ju kontrollojë jetën. Mos e lejoni të ndodhë. Kemi vendin më të mrekullueshëm në botë. Do të kthehemi. Do të kthehemi në punë. Do të jemi në vijën e parë. Si udhëheqës i juaji e kisha detyrim këtë. E di që është e rrezikshme, por nuk kisha rrugë tjetër. Qëndrova në vijën e parë dhe udhëhoqa”, tha zoti Trump në videon që publikoi në Twitter.

Por qasja e zotit Trump ndaj pandemisë është kritikuar nga  Joe Biden, gjatë një diskutimi të organizuar nga rrjeti NBC News të hënën.

Këto maska janë të rëndësishme. Shpëtojnë jetë. Parandalojnë përhapjen e sëmundjes. Në vend që të flas për distancimin shoqëror, në postimet e tij shoh thirrje për të mos u shqetësuar për këtë gjë. Ka shumë për t’u shqetësuar sepse 210 mijë njerëz kanë vdekur”, tha zoti Biden.

Zoti Biden po zhvillon fushatë në Florida, një prej shteteve që mund të jenë përcaktuese për rezultatin e garës presidenciale.

Siç e dini të gjithë, ua them sinqerisht, nëse ne fitojmë Floridën keni fituar ju”, tha zoti Biden në tubimin e tij elektoral.

Ndërsa zoti Biden kryeson në sondazhet kombëtare, një sondazh i ri nxjerr zotin Trump shumë afër me zotin Biden në Florida, një shtet që presidenti e kishte fituar më 2016.

Votuesit mbi 65 vjeç llogariten si çelësi i fitores në ShBA sepse ata janë më të përkushtuarit, thotë analisti politik Raphael Sonenshein.

Duket se një grup i vogël votuesish të moshuar të zotit Biden, që janë baza absolute e republikanëve, po rritet”, thotë Raphael Sonenshein.

Debati i sotëm i kandidatëve për nënpresident në qytetin Salt Lake është ngjarje e rëndësishme e fushatës, sidomos pas sëmundjes së zotit Trump.

Ju kujton të gjithëve se është një 74 vjeçar që garon për president kundër një 77 vjeçari dhe kemi dy njerëz mjaft të rinj, njëri nënpresident ndërsa tjetra kandidate për këtë pozitë që shumë lehtë mund të jenë kandidatët e ardhshëm”, thotë analisti Sonenshein.

Mënyra se si nënpresidenti Mike Pence dhe kandidatja për nënpresidente Kamala Harris bëjnë debat dallon. Zonja Harris është ish prokurore nërsa zoti Pence ish guvernator dhe autor i një emisioni në radio.

Si kreu i ekipit të punës kundër koronavirusit në Shtëpinë e Bardhë, zoti Pence pritet të mbrojë përgjigjen e adiministratës ndaj COVID-19.

Analistët politikë vlerësojnë se rezultati i zgjedhjeve do të jetë një referendum mbi mënyrën se si Presidenti Trump menaxhoi pandeminë.

 

Fraksion.com