AktualitetBota+DialogTë fundit

Trump do të dalë nga spitali: “Mos kini frikë nga COVID-19”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se do të lirohet nga qendra mjekësore Walter Reed në orën 18:30, sipas kohës lokale.

Trump u shtrua atje të premten, disa orë pasi u diagnostikua me sëmundjen COVID-19, që e shkakton koronavirusi.

Në një postim në Twitter, Trump tha se “ndihet vërtet mirë”.

“Mos kini frikë nga COVID-19. Mos e lejoni të dominojë jetën tuaj. Nën administratën Trump, kemi zhvilluar disa ilaçe vërtet të mira dhe njohuri. Ndihem më mirë seç jam ndjerë 20 vjet më parë”, shkroi Trump në Twitter.

Më herët, Shtëpia e Bardhë konfirmoi se gjendja e presidentit vazhdon të përmirësohet dhe se ai mund të lirohet nga spitali gjatë ditës.

Trump u diagnostikua me koronavirus, së bashku me Zonjën e Parë, Melania, të premten.

Edhe pse virusi në trupin e tij konsiderohet ende ngjitës, Trump, të dielën, doli për pak kohë me makinë, për t’i përshëndetur mbështetësit e tubuar rreth spitalit Walter Reed.

Shtetet e Bashkuara janë vendi më i prekur në botë nga koronavirusi, me mbi 7.4 milionë të infektuar dhe mbi 209,000 viktima.

 

Fraksion.com