“Kriminelët e luftës janë në Beograd”; Rama i përgjigjet ministrit serb për UÇK-në
Kryeministri Edi Rama ju kundërpërgjigj sot akuzave të ministrit serb të Mbrojtjes Aleksandar Vulin ndaj Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, duke deklaruar se “kriminelët e luftës janë në Beograd”.
Polemikat u nxitën nga një reagimi i ashpër i ministrit serb, pas mbledhjes së përbashkët mes Qeverisë shqiptare dhe asaj të Kosovës, dy ditë më parë, ku palët ranë dakort që Porti i Durrësit të përdoret si portë hyrëse dhe doganë për mjetet dhe mallrat që kishin destinacion Kosovën. Të premten ministri Vulin u shpreh se “me deklaratën se porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, Edi Rama vazhdoi punën e tij për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Shqipëria e Madhe është paralajmërim i fatkeqësive të mëdha, rrënimit dhe shkatërrimit të shteteve dhe kombeve në Ballkan. Vetëm serbët e bashkuar mund të ndalin “Shqipërinë e madhe” dhe sa më parë që të bashkohemi institucionalisht aq më parë do të fillojë koha e paqes në Ballkan”, deklaroi ministri Vulin, ndërsa përdorte termin përçmues “shiptari” kur përmendte shqiptarët.
Kryeministri Rama ju drejtua menjëherë presidentit serb Aleksandar Vuçiç duke e pyetur përmes një postimi në Twitter, nëse “eshte e vërtetë apo është një meme që tallet me trutharët dhe gojët e pista që kanë mbajtur për shekuj në errësirë rajonin tonë? Do të dëshiroja shumë të ishte një meme, përndryshe do të ishte një shfaqje e shpifur e një mendimi mjeran që duhet ta dënosh pa pikën e dyshimit”.
Por ndërsa nga presidenti Serb nuk mbërriti asnjë reagim, të paktën publik, ministri Vulin e shtoi dozën e termave fyes dhe akuzave. “Po të shqetësohej për paqen në rajon, nuk do të lavdëronte vrasësit e të ashtuquajturës Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të përpiqej të përcaktonte se kush do të qeverisë me Malin e Zi. Nëse do ta dinte çfarë është fytyra, Rama nuk do të përpiqej të portretizonte manastiret serbe në Kosovë si trashëgimi të popullit të tij në librat shkollorë zyrtarë të shtypur nga qeveria e tij”, u kundërpërgjigj ministri serb.
Kryeministri shqiptar tha sot se ishte “neveritur kur kuptova se deklaratat e këtij zotërisë nuk ishin meme”. Ndërsa “sa për vrasësit e UÇK-së, unë jam shumë krenar që për arsye të fatit që e deshi të jem në këtë pozicion dhe të merrem me politikë në këto vite, kam mundur t’i njoh dhe t’i kem miq dhe do të jem miku i tyre deri në fund, në ditë të mira dhe të vështira. Për mua, ata janë çlirimtarë, nuk janë vrasës. Vrasësist ishin në Beograd dhe janë akoma në Beograd”.
Zoti Rama shtoi më tej se “asnjë autoritet serb nuk mund dot ta kthejë përmbys historinë dhe ngado të rrrotullohen këta personazhe që luajnë me historinë, për të mbajtur peng të ardhmen, nuk e ndryshojnë dot një fakt shumë të thjeshtë: Nuk sulmoi Kosova, Serbinë dhe nuk sulmoi Prishtina Beogradin. Sulmoi Serbia, Kosovën dhe sulmoi Beogradi, Prishtinën. Nuk ishin tanket e Kosovës që hapën rrugën e një ushtrie, të vënë nën urdhëra, për të bërë spastrim etnik, për t’i ngritur njerëzit nga shtëpitë, për t’ju djegur shtëpitë dhe për t’ju përdhunuar vajzat, por ishin nga Beogradi. Ishin ushtarët e Sllobodan Millosheviçit, një ushtri e rregullt, e përdorur për djegie, për përdhunime, për spastrim etnik. Kjo nuk ndryshon dot. Nuk e ndryshon dot as Gjykata e Hagës, nuk e ndryshojnë as fletërrufetë e prokurorëve, nuk e ndryshon dot askush. Çlirimtarët janë në Kosovë. Kriminelët e asaj lufte janë nën dhe’ disa, mbi dhe’ disa të tjerë, por janë në Beograd”.
Sipas zotit Rama “Presidenti i Serbisë duhet të shprehet për këtë çështje, sepse ai është ministri i tij i Mbrojtjes. Duhet të shprehet për këtë çështje edhe për një arsye tjetër, sepse me Presidentin e Serbisë, unë kam qenë shumë i qartë dhe mendoj që e kam kuptuar shumë qartë që ai ka qënë dakord me mua, që Shengeni Rajonal për mua është një proces në mbrojtje të interesave kombëtare dhe rajonale dhe në këtë proces, Serbia nuk mundet të hapë gojën se për çfarë dhe për si dhe sa shpejt dakordësohemi ne me Kosovën për të avancuar axhendën për Shengenin Rajonal, sepse Shengeni Rajonal në thelb është vendosja në zbatim e katër lirive të BE-së. Dhe e para është liria e lëvizjes, d.m.th qytetarët të lëvizin mes shteteve pa patur nevojë të ndalojnë në kufi fare. E faktikisht kufiri bëhet inekzistent”.
Lidhur me pretendimet e ministrit serb për Portin e Durrësit “pa diskutim që do të jetë dhe porti i Kosovës”, u shpreh kryeministri Rama duke shtuar se “bujrum të jetë edhe porti i Serbisë apo kujtdo tjetër, në sensin që kush do liri lëvizjeje të mallrave mund të përfitojë nga liria e lëvizjes së mallrave. Nuk mund të bësh 4 liri lëvizjeje të BE-së dhe të thuash “këtë liri do ta marr, këtë liri sdo ta marr”, ose “këtë liri e dua për vete dhe tjetrit nuk ja jap dot”. Serbët ta harrojnë këtë”.
Për furtunën e ngritur nga zyrtari i qeverisë serbe, zoti Rama theksoi se shpresonte që “kjo të jetë thjeshtë magjarllëku i një individi që për 1001 arsye, – ndër të cilat mund të ketë qenë edhe arsyeja që ka qenë nën ndikimin e lëndëve helmuese luftarake, se është dhe ministër i Mbrojtjes, siç i thoshim ne dikur këtyre prodhimeve alkolike të pacertifikuara – flet kështu”.
Fraksion.com