AktualitetBota+Të fundit

Presidenti Trump shtrohet në spitalin ushtarak “Walter Reed” pas diagnozës me COVID-19

Presidenti Trump është shtruar në qendrën spitalore të ushtrisë amerikane Walter Reed pranë Uashingtonit për trajtim mjekësor kundër koronavirusit, njofton Shtëpia e Bardhë.

Para nisjes, presidenti regjistroi një mesazh të shkurtër që e postoi në llogarinë e tij në Twitter ku falenderon dashamirësit e tij dhe shprehet se mendon “që jam shumë mirë. Por po shkoj në Spitalin Walter Reed për të garantuar që kjo gjë përfundon krejt mirë”. Ai shprehet se është mirënjohës për mbështetjen dhe nuk do ta harrojë kurrë, por pa ofruar hollësi për diagnozën apo gjendjen e tij shëndetësore.

Më herët Shtëpia e Bardhë nxori një deklaratë duke njoftuar se presidenti do të qëndrojë disa ditë në spital bazuar në rekomandimet e mjekut. “Presidenti është me humor të mirë, ka simptoma të lehta dhe ka vazhduar punën gjatë gjithë ditës,” tha në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Kayleigh McEnany.

“Nisur nga synimi për të qenë mëse të sigurtë dhe të kujdesshëm dhe bazuar në rekomandimet e mjekut të tij personal dhe të ekspertëve të shëndetit, presidenti do të punojë për disa ditë të ardhshme nga zyrat presidenciale në kompleksin Walter Reed. Presidenti Trump është mirënjohës për dashamirësinë dhe mbështetjen që ka marrë ai dhe Zonja e Parë,” përfundon deklarata për shtyp.

Më herët të premten, mjeku i presidentit, Dr. Sean Conley, tha në një deklaratë për shtyp se presidenti mori një dozë intravenoze anti-trupash të dyfishtë të prodhuara nga Regeneron Pharmaceuticals Inc, duke e shoqëruar me zink, vitamin D, famotidinë, melatoninë dhe aspirinë.

Presidenti Donald Trump “vazhdon të jetë i këputur, por (është) me humor të mirë”, pasi u trajtua me një kokteil eksperimental antitrupash ndaj COVID-19, tha mjeku.

REGN-COV2, ilaçi i kompanisë Regeneron, është pjesë e një klase ilaçesh eksperimentale për COVID-19, të njohura si anti-trupa monoklonale – kopje të prodhuara të anti-trupave njerëzore ndaj virusit, të cilat po analizohen si trajtim për pacientët në fazat e hershme.

Kjo teknikë po përdoret gjerësisht për trajtimin e një sërë sëmundjesh. Deri më tani ka vetëm të dhëna të kufizuara për anti-trupat e COVID-19, por kreu i departamentit për sëmundjet infektive Dr. Anthony Fauci është ndër personat që kanë thënë se është premtuese.

Kompania Regeneron njoftoi këtë javë rezultate testimesh që tregojnë se ilaçi i saj me anti-trupa përmirësoi simptomat e pacientëve me COVID-19 që nuk janë shtruar në spital, pa asnjë efekt serioz anësor dhe njoftoi se synon të hyjë në bisedime me Agjensinë e Ushqimit dhe Barnave (FDA) për të marrë autorizim për përdorim emergjence.

Po të premten, paradite, një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se Presidenti Donald Trump po kalon simptoma të lehta të COVID-19, pas njoftimit se ai dhe gruaja e tij Melania ishin testuar pozitivë me koronavirus.

Presidenti e bëri njoftimin në Twitter të premten herët dhe tha se të dy do të fillojnë karantinën. Presidenti Trump është 74 vjeç, dhe kjo e vë në rrezik më të lartë për komplikime serioze.

Presidenti Trump rezulton pozitiv me COVID-19

Lajmi vjen vetëm një muaj para zgjedhjeve ku ai përballet me ish-nënpresidentin Joe Biden, i cili kryeson në anketat kombëtare.

Shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë Mark Meadows tha se Presidenti Donald Trump ka simptoma të lehta pas testimit pozitiv për COVID-19 por pritet që ai të vazhdojë punën. Zoti Meadows shprehu optimizëm se presidenti do të shërohet shpejt.

Dy persona që kishin dijeni për gjendjen e tij thanë se simptomat ishin të ngjashme me të ftohurin.

Fushata e Presidentit Trump tha të premten se të gjitha aktivitetet e fushatës të njoftuara më parë ku përfshihet presidenti, do të zhvendosen në mjedise virtuale ose do të shtyhen përkohësisht.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë tha se tubimet e presidentit do të ndërpriten për të paktën 10 ditë.

Fushata tha gjithashtu në një deklaratë se shtyhen përkohësisht edhe aktivitetet e njoftuara me pjesëmarrjen e anëtarëve të familjes Trump. Ndërkohë, Nënpresidenti Mike Pence, i cili ka testuar negativ për koronavirusin, planifikon të rifillojë programin e tij të aktiviteteve të fushtës, thuhet në deklaratë.

Presidenti shkroi të premten në rrjetin Twitter se “zonja e parë dhe unë dolëm pozitivë në testin për COVID-19. Do të fillojmë karantinën dhe procesin e shërimit menjëherë. Do ta kalojmë sa bashku këtë”.

Pak më vonë Shtëpia e Bardhë lëshoi një memorandum nga mjeku i presidentit 74-vjeçar, Dr. Sean Conley, duke konfirmuar testet pozitive për çiftin Trump.

“Presidenti dhe Zonja e Parë janë mirë aktualisht dhe ata planifikojnë të qëndrojnë në shtëpi brenda Shtëpisë së Bardhë gjatë procesit të kurimit”, tha zoti Conley.

Ai shtoi se ai pret që presidenti “të vazhdojë të kryejë detyrat e tij pa ndërprerje ndërsa shërohet, dhe unë do t’ju mbaj të informuar për çdo zhvillim të ardhshëm”.

Zonja Melania Trump shkroi në twitter se “siç kanë bërë shumë amerikanë këtë vit, presidenti dhe unë jemi në karantinë në shtëpi pasi dolëm pozitiv për COVID-19. Po ndihemi mirë dhe unë i kam shtyrë të gjitha angazhimet e ardhshme. Ju lutemi sigurohuni që po qëndroni të mbrojtur dhe të gjithë do ta kalojmë së bashku”.

Ndërkaq, kandidati demokrat për president Joe Biden dhe gruaja e tij u testuan sot negativë për koronavirusin, ndërsa kandidatja për nënpresidente Kamala Harris u testua negative dje.
Presidenti Trump, i cili për muaj me radhë kishte minimizuar seriozitetin e koronavirusit, të enjten në mbrëmje konfirmoi gjatë një interviste telefonike në Fox News se ai dhe zonja e parë ishin testuar pasi një nga ndihmëset e tij, Hope Hicks, u konfirmua të ishte e infektuar.
Fraksion.com