Vdes gazetarja ruse që i vuri flakën vetes
Ka vdekur gazetarja ruse, Irina Slavina, e cila i vuri flakën vetes në qytetin e Nizhny Novgorod, pas një bastisjeje të policisë në banesën e saj në kërkim të provave për lidhjen e pretenduar të saj me një grup opozitar.
Ajo i vuri flakën vetes përpara një zyre të Ministrisë së Brendshme në qytetin e Nizhniy Novgorod, ndërsa para se të kryente këtë akt shkroi në rrjetin social Facebook: “Unë ju kërkoj të fajësoni Federatën Ruse për vdekjen time”.
Slavina tha të enjten se policia kishte kontrolluar banesën e saj duke kërkuar materiale në lidhje me grupin pro-demokracisë “Rusia e Hapur”. Asaj i janë sekuestruar kompjuterë, fletore, telefona celularë dhe pajisje tjera.
Dega lokale e Ministrisë së Emergjencave konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se një grua kishte vdekur pasi kishte djegur veten pranë selisë së policisë në Nizhny Novgorod, por refuzoi të identifikonte viktimën.
Uebfaqja e pavarur e lajmeve Koza Press, ku Slavina ishte redaktore, më pas konfirmoi identitetin e saj.
Autoritetet ruse e konsiderojnë “Rusinë e Hapur” një organizatë të ashtuquajtur “të padëshirueshme” dhe në mënyrë të përsëritur kanë shënjestruar grupin dhe udhëheqjen e tij.
Slavina gjithashtu u gjobit disa herë për artikujt e saj.
Komiteti Hetimor i Rusisë konfirmoi se Irina Slavina, e cila lë pas një burrë dhe vajzë, kishte vdekur, por mohoi çdo lidhje me kontrollin e banesës së saj.
Fraksion.com