AktualitetPolitikëTë fundit

PD padit në SPAK Sandër Lleshaj: Ndryshon vendbanimin e shtetasve, pa dijeninë e tyre

Sekretari i përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka depozituar sot padi në SPAK ndaj ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj dhe drejtorit të përgjithshëm të Gjendjes Civile, Bledar Doracaj.

“Çështja e ndryshimit të vendbanimit të qytetarëve, pa kërkesën e tyre me qëllim manipulimin e listave të votuesve duhet të hetohet nga SPAK”, deklaroi Bardhi.

Sipas tij, Partia Demokratike bën përgjegjës direkt ministrin e Brendshëm Sandër Lleshaj dhe drejtorin e përgjithshëm të Gjendjes Civile Bledar Doracaj, për të cilët dorëzoi kallëzim penal në SPAK për 3 vepra penale: falsifikim i dokumenteve, shpërdorim i detyrës dhe shkelje e të drejtës së zgjedhjes.

Në padinë e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion i kërkohet të sekuestrojë të dhënat kompjuterike, siç është Regjistri Kombëtar i Gjendjes Civile për të vërtetuar ndërhyrjet e paligjshme në sistem, me qëllim ndryshimin e adresës së vendbanimit dhe, për rrjedhojë, të pengojë qytetarët të votojnë, përmes ndryshimit të vendvotimit.

“Rastet e denoncuara nga shtetas të ndryshëm për një periudhë rreth 2-javore mbi ndryshimet e vendbanimeve, pa dijeninë e tyre, tregojnë për tentativat për të manipuluar listat e zgjedhësve shqiptarë nga personat përgjegjës, ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile”, thuhet në padi.

Sipas PD-së, Ligji për Gjendjen Covile dhe Kodi Zgjedhor janë shumë të qartë lidhur me këtë çështje. PD shprehet se ndërhyrja e drejtpërdrejtë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile ndikon në procesin zgjedhor, duke ndryshuar menjëherë qendrat e votimit ku duhet të votojnë qytetarët shqiptarë.

“Sipas nenit 46 të Kodit Zgjedhor në fuqi, qendrat e votimit bazohen te kodi i vendbanimit. Duke iu referuar nenit 15 pika 3 i ligjit “Për gjendjen civile”, në padi jepen argumente se vendbanimi ndryshohet vetëm me kërkesën e shtetasit”, u shpreh Bardhi.

Duke vënë në dukje se SPAK duhet të kishte nisur vetë hetim për këtë çështje, Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, thekson se “e paraqet këtë kallëzim, si mundësi ligjore e ushtrimit të përgjegjësive në mbrojtje të interesit publik. Organet ligjzbatuese duhet të veprojnë pa asnjë hezitim të mëtejshëm dhe me profesionalizëm të lartë të diktuar nga interesi i lartë që është cenuar dhe preket në këtë rast, duke qenë se jemi përpara akteve të rrezikshme që do të cenonin transparencën e procesit zgjedhor dhe lirinë e zgjedhjeve, si parime bazë të demokracisë”.

 

Fraksion.com