Maas: Po punojmë për hapjen e konferencave ndërqeveritare
Gjermania po punon intensivisht si për hapjen e konferencave ndërqeveritare ashtu edhe për liberalizimin e vizave me Kosovën, por deri tani nuk dihet ende nëse këto do të realizohen brenda këtij viti.
Ministri i jashtëm i Gjermanisë ndodhet në karantinë deri më 4 tetor, pasi njëri nga bodigardët e tij ishte testuar pozitivisht me Covid 19. Me këtë rast Maas shprehu edhe keqardhjen që nuk pati rastin të takohej fizikisht me homologun e tij të ri, Bujar Osmanin, të cilin ai e ka takuar më shumë se një herë kur ky ishte zëvendëskryeministër edhe gjatë vizitave të tij në Maqedoninë e Veriut. Ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, tha se “hapja e konferencës së parë ndërqeveritare ka një domethënie të madhe simbolike dhe është mbështetje e reformave tona për të arritur synimet strategjike të qeverisë sonë.”
Kornizat negociuese
Ministri gjerman për Evropën, Michael Roth, i tha DW-se shtetet anëtare të BE-së tani po punojnë intensivisht për të hartuar kornizat përkatëse negociuese si për Maqedoninë e Veriut ashtu edhe për Shqipërinë. “Aty do të përcaktohen kapitujt negociues dhe kushtet e tjera të negocimit, Vetëm kur të bien dakord shtetet anëtare të BE-së për këto korniza, do të bëhet konferenca e parë ndërqeveritare, ku të dyja palët do të miratojnë kornizat negociuese”, tha Roth.
Në rastin e Maqedonisë së Veriut, qëndresa vjen nga Bullgaria. Qeveria bullgare ka kërkuar nëpërmjet një memorandumi mbështetje nga vendet e BE-së, ku kërkon që Maqedonia e Veriut të pranojë se është historikisht dhe gjuhësisht pjesë e Bullgarisë. Sesa këmbëngulëse do të jetë Sofja me këtë kërkesë kjo nuk dihet ende. Dy vendet fqinje janë duke bashkëpunuar aktualisht konkretisht për organizimin e konferencës së radhës në kuadër të Procesit të Berlinit.
Cakaj në Berlin
Ndërsa për Maqedoninë e Veriut pikëpyetja rreth konferencës së parë ndërqeveitare që do të shënonte hapjen zyrtare të negociatave ka kaluar në Sofje, për Shqipërinë ajo është ne Tirane, thuhet ne Berlin. Ministri i jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, erdhi personalisht në Berlin për të bindur partnerët gjermanë se Shqipëria është gati për konferencën. Ministri i shtetit për Evropën, Michael Roth, i cili u takua me Cakajn të martën, 28.09.2020, në Berlin, i tha Deutsche Welles se Gjermania, si kryetare e radhës së BE-së, synon që t’i përmbyllë qysh brenda këtij viti të dyja kornizat negociuese. “Nëse deri atëherë Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kushtet, kjo varet nga Shqipëria”, tha Roth për DW.
Pjesa dyshuese dhe që po bën aktualisht qëndrese te qeveria gjermane që ta shtyjë konferencën e parë ndërqeveritare është një pjesë e grupit parlamentar CDU/CSU. Cakaj i takoi gjatë vizitës së tij dyditore tre përfaqësues të këtij grupi dyshues në Berlin. Kryetari i Komisionit të Bashkimit Europian, Gunther Krichbaum, doli optimist nga takimi me Cakajn, dhe i tha DW-së, se Shqipëria është në rrugë të mirë:
“Shqipëria po bën përparime të mira në përmbushjen e gjashtë kushteve të vendosura nga Bundestagu gjerman, kështu që unë jam optimist se Shqipëria do të marrë një datë për konferencën e parë të pranimit. Nuk mund të them akoma se kur, sepse kjo varet nga vendet e tjera anëtare. Ne jemi në proces të negocimit të kornizës negociuese. Sidoqoftë, unë mendoj se nuk është data e konferencës së pranimit ajo që është e rëndësishme, por shpejtësia me të cilën trajtohen kapitujt.”
Thirrje për konsensus
Ngjashëm e shikon situatën para konferencës së parë ndërqeveritare edhe nënkryetari i grupit parlamentar CDU/CSU, Johann David Wadephul, i cili u takua me Cakajn të martën. Wadephul-i i tha DW, se Gjermania e mbështet “Shqipërinë, që t’i plotësojë sa më shpejt të gjashtë parakushtet për konferencën parë ndërqeveritare. Wadephul tha se ka pasur përparime, si për shembull SPAK, por mbeten edhe shumë për të bërë – veçanërisht për “aftësinë funksionale të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, për reformën zgjedhore, si dhe për luftimin e korrupsionit dhe korrigjimit të ligjit të medias”.
Por Wadephul tha se do të ishte mirë që reforma zgjedhore të pranohet tereshit nga ODIHR-i. “Kthejuni konsensusit në Këshillin Politik. Dhe jepini ODIHR-it mundësinë që të vlerësojë ndryshimet që do të arrihen në Këshillin Politik për listat zgjedhore. Vetëm nëse thotë ODIHR-i se reforma zgjedhore është në përputhje të plotë me kriteret e OSBE/ODIHR-it, atëherë edhe ne do ta kemi të lehtë që të themi se është plotësuar edhe kushti i reformës zgjedhore”, i tha deputeti kristiandemokrat DW të martën pas takimit me Cakajn.
Liberalizimi i vizave për Kosovën
Edhe një pikë tjetër me të cilën qeveria gjermane si kryetare e radhës së BE-së po punon intensivisht që të arrihet një konsensus është liberalizimi i vizave për qytetarët e BE-së. I pyetur nga DW, gjatë konferencës me Osmanin, ministri gjerman i punëve të jashtme, Heiko Maas, tha se “Ka akoma disa vende që kanë dyshime. Nuk mund të jap parashikime, se kur do të realizohet liberalizimi i vizave për Kosovën, por mund të them se është një temë me të cilën ne po merremi intensivisht.”
Në konferencën virtuale për media, ministri i jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, prezantoi edhe qëndrimin e Maqedonisë së Veriut në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Në përgjigje të pyetjes për propozimin e presidentit serb Vuçiq për Asociacionin e Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive, ministri Bujar Osmani bëri thirrje që “zgjidhjet përfundimtare të çështjeve të hapura të mos krijojnë precedencë me efekte negative në rajon”. dhe tha se Maqedonia e Veriut “mbështet dialogun i cili do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë të të dyja shteteve dhe me njohjen e standardeve më të larta të pakicave në të dyja shtetet”.
Ngjashem Edhe Cakaj ishte shprehur ne Berlin ngjashem: “Presidenca Gjermane e Këshillit duhet t’i japë shtysë të fortë procesit të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe se dialogu mes Kosovës e Serbisë nuk duhet të përfundojë me asgjë më pak se njohja e ndërsjellë.” – theksoi Cakaj në reagim/dw
Fraksion.com